Dy shokët e zhdukur në Sarandë mund të jenë vrarë dhe trupat e tyre mund të jenë hedhur në det, raporton eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço.

Ka informacione se  trupat e Fatmir Sulovarit dhe Leonard Theodhorit janë hedhur në det, thotë Karmuço, gjatë intervistës në “Top Talk”.

“Tashmë nuk po kërkohen më si të gjallë. Po kërkohen si të zhdukur. Madje dhe familjarët thonë të sillen trupat, nuk mund t’i gjejnë dot më ashtu si mendonin. Pra, kanë indicie dhe informacione. Ka një informacion të pakonfirmuar që mund të mos jenë groposur, por të jenë hedhur në det”.

Një nga të arrestuarit, nëse dëshmon ngjarjen, mund të zbardhë fatin e dy të zhdukurve, sipas ekspertit.

“Kyçi i të gjithë kësaj është zbërthimi i një prej personave që ndodhet në policinë e Sarandës. Nëse ai jep të dhëna të tjera, do të bëhet zbardhja, por sa e mundur është kjo, ende nuk e dimë.

Është thënë se do të fillojë sërish kërkimi në zonat e mundshme ku mund të jenë trupat e dy personave. Është një pikëpyetje shumë e madhe, pasi është krehur njëherë zona, madje dhe me RENEA-n, edhe me dronë. Mund të përdoret edhe qeni K -9, që nuk ka qenë herën e parë”.

Pa treguar shumë detaje, Karamuço thotë se janë disa pista ku po kryhet hetimi.

“Janë më shumë se dy pista që po hetohen dhe nga ana e Prokurorisë Sarandë, por unë do ta respektoj edhe prokurorinë, e cila ka thënë mos aludoni shumë nëpër media, sepse dëmtoni edhe hetimet tona. Këtu, detyrën kryesore e ka policia”.

Hetimet për zhdukjen e dy shokëve:

Familjarët e lidhin ngjarjen me shitjen e një toke, ndërsa policia beson se ngjarja lidhet me konfliktet për trafikun e drogës jo vetëm nisur nga precedentët e të zhdukurve por dhe operacionet antikanabis në Greqi, ku ka pasur të arrestuar edhe shqiptarë.

Policia e Sarandës nëpërmjet hetimeve por edhe kamerave të sigurisë ka kontrolluar banesa e biznese që dyshohet se implikohen në ngjarje. E tillë ishte dhe një banesë në fshatin Nivicë të Himarës që është në emrin e një biznesmeni që merret me shitje apo dhënie me qira të pasurive të paluajtshme. Policia ka dyshime se banesa e 28 vjeçarit Sofokli Baxheri është përdorur nga autorët e dyshuar të zhdukjes së  Fatmir Sulovarit dhe Leonard Theodhorit, por ky i fundit nuk jep asnjë të dhënë në lidhje me faktin se kush e ka përdorur banesën gjatë muajit prill. Për këtë arsye, policia e Sarandës e vuri në pranga për deklarata të rreme dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.

Në oborrin e banesës në Nivicë policia e Sarandës gjeti një automjet “Benz” që dyshohet se është përdorur për të transportuar të zhdukurit, gjurmët e fundit të të cilëve të çojnë në fshatin Vrinë. Pavarësisht kësaj policia ende nuk e ka një përgjigje zyrtare dhe përfundimtare për fatin e tyre.

Top Channel