“Basha kishte me koncesion PD-në, ia mori Berisha”/ Bushati dhe Bojaxhi komentojnë sloganet e partive për “14 Majin”

02/05/2023 17:24

Përfaqësuesi i Partisë Socialiste Ervin Bushati dhe politikani Gjergj Bojaxhi diskutuan sot në “Top Talk” për kandidatët dhe risitë e fushatës elektorale të partive politike për zgjedhjet vendore të 14 majit.

Kryeministri Edi Rama dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste vazhdon të ketë si antagonist Sali Berishën. Duke folur për këtë fakt, Bushati u shpreh se Berisha ka qenë gjithnjë regjisor i opozitës.

“Mesa duket Rama e ka gjetur dhe e ka kuptuar dhe prapaskenën se kush është regjisori i opozitës. E ka diur me kohë që ai që luan marionetat e opozitës ka qenë Berisha. Sot e shohim që është Sali Berisha.

Brenda 24 orësh mori një pushtet që për 8 vite, gjasme ia kishte lënë me koncesion. Ky është koncesioni më i madh në historinë e Shqipërinë. Lulzim Basha kishte me koncesion PD-në. Pronari i vërtetë është Sali Berisha”.

Ndërkohë, Sali Berisha garon në këto zgjedhje si pjesë e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, bashkë me Partinë e Lirisë të drejtuar nga Ilir Meta. Por, sipas Bojaxhi, qëllimi i vërtetë i Berishës është të konsolidohet opozita e vërtetë, që do të jetë përballë Ramës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Unë mendoj që qëllimi i opozitës, në këtë rast i Berishës, nuk është thjesht të pesëfishojë rezultatin. Për mendimin tim, objektivi i Berishës në këto zgjedhje lokale, është që të konsolidojë se kush është opozita e vërtetë. Ky është qëllimi i tij kryesor, nuk ka rëndësi fiton 5 bashkia apo 25 bashki.

Rëndësi ka që qytetarët të ndajnë mendjen se kush është alternativa për zgjedhjet në 2025 si opozitë, si grupi kryesor opozitar”.

Të ftuarit komentuan dhe sloganin e fushatës elektorale të Partisë Socialiste “Përpara, kurrë më mbrapa”.

“Mendoj që slogani i PS-së si strategji PR, është e gjetur, me elementët përpara dhe mbrapa. Por përtej fasadës së PR… përpara ku? Sepse kemi tetë vite që ecim dhe ku jemi. Shqiptarët ikin, vendi po braktiset. Është si të thuash anija po përmbyset, por po ecën përpara. Njerëzit ikin nga anija në vende të tjera. Kjo nuk është zgjidhje. Megjithatë, nga ana e PR është e gjetur, duhet ta pranojmë”, u shpreh Bojaxhi.

Top Channel