Vrasja e Ardian Nikulajt/ Në kërkim gjashtë bashkëpunëtorët! Ekzekutori shtetas portugez, viktima në gjak me fisin Lekstakaj

26/04/2023 21:00

Gjashtë persona janë shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, ndërsa kanë dalë në dritë detaje të reja.

Ekzekutori është identifikuar si Ruben Saraiva, ndërsa bashkëpunëtorët janë Edmond Haxhia Done, shtetas shqiptaro- britanik; Harry Simson, shtetas britanik, Harriet Bridgeman, shtetase britanike;  Thomas Mithan, shtetas britanik dhe Steven Hunt shtetas britanik.

Policia e Shtetit në një deklaratë zyrtare tha se pista ku po hetohet vrasja e Nikulajt është gjakmarrja.

Edmond Haxhia

Sipas informacioneve, Elton dhe Klodian Lestakaj, të cilët jetojnë në Angli, ishin në gjak me Nikulajn.  Edmond Haxhia është djali i dajës së tyre dhe dyshohet se ishte ai që porositi vrasësit.

Megjithëse kontrollet vijojnë prej 19 prillit në zonën e Gjadrit, policia ende nuk ka mundur të gjejë motorin e përdorur nga vrasësi i biznesmenit Ardian Nikulaj, dhe as ka arritur të shpjegojë me prova ligjore se si ka vijuar lëvizja e tij më tej.

Në një banesë në fshatin Gjadër policia gjeti pjesërisht të djegura disa veshje që dyshohet se janë të ekzekutorit të biznesmenit. Ato po ekzaminohen në laboratorin shkencor.Nga vëzhgimi i imtësishëm i pamjeve të kamerave të sigurisë ka rezultuar se ekzekutori I biznesmenit Ardian Nikulaj ka mbërritur pranë vendit të ngjarjes 8 orë para vrasjes.

Gjatë kësaj kohe ai ka qëndruar në një pallat në ndërtim nga ku ka dalë vetëm pasi është njoftuar se ishin krijuar kushtet e përshtatshme për kryerjen e ekzekutimit në lokalin ‘Coral’. Pallati në ndërtim e sipër ku qëndroi i fshehur vrasësi është rreth 100 metra larg vendit ku ndodhi vrasja.

Viktima Ardian Nikulaj

Autori i maskuar me jelek fosforeshent dhe skafandër dyshohet se u njoftua që objektivi i tij ishte i vetëm në tavolinë dhe kreu ekzekutimin. Ndër personat e dyshuar si bashkëpunëtorë është një anglez i prezantuar si turist. Në kamerat e pallatit në ndërtim i cili shfrytëzohet vetëm në katin përdhes për parkim shfaqet për disa minuta dhe turisti anglez, por policia nuk është e bindur nëse është realizuar një takim mes tij dhe vrasësit që ka qëndruar tetë orë në atë godinë.

Dyshimet e policisë shtohen edhe për faktin se gjatë pesë ditëve të qëndrimit të tij në Shëngjin, turisti ka qëndruar me kapele dhe ka qenë i kujdesshëm për të mos lënë pas gjurmë të tij. Ai ka arritur deri aty sa ka mbledhur edhe bishtat e cigareve që konsumonte. Policia shqiptare është në pritje të të dhënave nga homologët anglez në lidhje me personin që dyshohet si bashkëpunëtor i cili u largua nga Rinasi drejt atdheut të tij vetëm pak orë pas vrasjes.

Ekzekutori portugez

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku  tha se pas hetimeve janë sekuestruar edhe prova materiale si gëzhoja arme zjarri model 54, kalibër 7.62 mm, një predhë model 54, kalibër 7.62 mm, letërnjoftim, celular i markës “iPhone”, dhe disa prova të tjera biologjike.

Mbi bazën e materialeve të referuara nga shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë ka regjistruar procedimin penal nr. 205, viti 2023 për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”.

Momenti i vrasjes dhe autori

Si ndodhi ngjarja e rëndë?

Adrian Nikulaj, biznesmen në Lezhë, ish kandidat për deputet në zgjedhjet e 2021-shit dhe kandidat për Këshill Bashkiak në zgjedhjet e 14 majit të këtij viti u vra me pistoletë nga një person i maskuar në ambientet e biznesit të tij Coral rreth orës 13:30 në 19 prill.

Autori mban një maskë, skafandër, jelek fosforeshent dhe i kamufluar me veshje të trasha, opasi kryen vrasjen me pistoletë në një disatancë shumë të afërt dhe i vetëm u largua qetësisht me motor nga vendngjarja. Viktima po konsumonte kafen e tij të fundit në lokalin e tij në Shëngjin, kur autori e ka qëlluar shtatë herë me pistoletë në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit.

Nikulaj ishte kandidat për deputet nën siglën e Partisë Socialdemokrate në zgjedhjet e vitit 2021. Ndërsa në zgjedhjet që pritet të mbahen më 14 maj ai ishte kandidat për Këshillin Bashkiak. Viktima rezulton i arrestuar më herët për armëmbajtje pa leje dhe kontrabandë e falsifikim.

Konkretisht në vitin 2003 ai është dënuar me katër muaj burg për armëmbajtje pa leje, kurse në vitin 2006 ka marrë gjobë për kontrabandë dhe falsifikim dokumentesh.

FOTO GALERI
6/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA