Pas 152 vitesh, Manchester City vendos rekordin absolut në FA Cup

24/04/2023 22:18

Finalja e FA Cup këtë edicion premton shumë spektakël, me aktin final që do të luhet më 3 qershor dhe në “Wembley” do të zbresin dy pasha të rënda, me Manchester City dhe Manchester United që do të diskutojnë trofeun.

Kjo do të jetë finalja e parë në histori midis dy skuadrave, ndërsa “Citizens” kanë vendosur një rekord të jashtëzakonshëm në FA Cup dhe po flasim për kompeticionin më të vjetër të historisë së futbollit.

Manchester City kaloi në finale pas suksesit 3-0 ndaj Sheffield United dhe në finale, të besuarit e Pep Guardiola-s prezantohen me portën e paprekur.

Kështu, City bëhet skuadra e parë në historinë e FA Cup që prek finale pa pësuar asnjë gol, me skuadrën që deri më tani ka zhvilluar 5 ndeshje dhe rruga i rezervoi sfida shumë të vështira.

Fillimisht, Manchester City triumfoi 4-0 përballë Chelsea më 8 janar, ndërsa më pas skuadra e Pep Guardiola-s eliminoi një tjetër skuadër londineze, rivalët kryesor të këtij edicioni, Arsenalin e Mikel Arteta-s me rezultatin minimal 1-0.

Në fundin e muajit shkurt, City triumfoi 0-3 në transfertën e Bristol City, ndërsa në çerekfinale u argëtua përballë Burnley pas suksesit të thellë 6-0.

Në ndeshjen e fundit, në gjysmëfinale, City nxori jashtë ekipin e Championship, Sheffield UTD me rezultatin 3-0 duke regjistruar kështu rekordin historik.

Në total pesë fitore dhe 17 gola të shënuar dhe duke siguruar finale e 12 në histori, aty ku do të kërkoj trofeun e 7, përballë rivalëve të qytetit dhe tani mbetet për tu parë, nëse City do të finalizojë me sukses rekordin, për të mbajtur portën e paprekur edhe në finale./ SuperSport

Top Channel