Karriera e Dele Alli duket se ka marrë tatëpjetën. Mesfushori u transferua me anë të huazimit nga Everton në Turqi te Besiktas me idenë për të rigjetur versionin e tij më të mirë, por edhe atje 27-vjeçari ka shkaktuar telashe dhe ka përfunduar jashtë skuadrës nga Stambolli duke regjistruar vetëm dy paraqitje.
Së fundmi, kritika të ashpra vijnë në drejtim të Dele Alli nga ana e ish-presidentit të Crystal Palace, Simon Jordan. Ky i fundit shprehet se ish-lojtari i Tottenham është tashmë thjesht një hije e vetvetes ndërsa shtoi se ai tallet edhe me fjalët e trajnerëve.
“Për tre apo katër vite, i ka bërë të gjithë ata që u morën me atë të humbasin kohë. Këtu përfshijë drejtuesit, kolegët dhe presidentët që kanë punuar me një si ai. Ka qenë një lojtar për të cilin unë kam pasur gjithnjë ndjesinë se ishte i mbivlerësuar dhe ja ku jemi. Në vitin 2018, mbahej si 10-tëshi më i mirë, por tani është thjesht një hije e vetvetes. Është një rrugë të cilën ai e zgjodhi vetë.
Në dokumentarët “All Or Nothing” mund të shohësh një idiot që qesh apo tallet kur trajneri i thotë se nuk është stërvitur mirë. Ai dukej si një “refugjat” në fushë. Ose më saktë një i arratisur nga filmi “Piratët e Karaibeve”. Nuk e kuptonte se ishte pjesë e një prej klubeve më të rëndësishëm në Premier League dhe se atë ambient duhej ta respektonte. Por, e vërteta është se ky djalosh ka shpenzuar dy apo tre vjet duke e hedhur në tualet të ardhmen e tij”, u shpreh Jordan.
Top Channel