Qytetarët në Mal të Zi votuan këtë të diel  për të zgjedhur presidentin e ri.

Kreu aktual i shtetit, Milo Gjukanoviç kishte rival Jakov Millatoviç në raundin e dytë të zgjedhjeve. Që të dy i premtuan elektoratit drejtim europian. Gjukanoviç kishte një mesazh edhe për Serbinë pasi hodhi votën e tij në Podgoricë.

“Marrëdhëniet me Serbinë do të jenë ashtu siç duhet dhe siç janë me fqinjët e tjerë. Sigurisht që mund të jenë më mirë, për sa më përket mua, ne kemi absolutisht një derë të hapur. Serbisë do t’i duhet të ndryshojë marrëdhëniet me fqinjët e saj, veçanërisht me Malin e Zi, ku po përpiqet të organizojë jetën e serbëve, por shteti i Malit të Zi duhet ta bëjë këtë. Asnjëherë nuk jemi përpjekur të ndërhyjmë në rregullimin e jetës së qytetarëve tanë në vende të tjera. Respektoni shtetin dhe atë që është dhe ju jeni të mirëseardhur këtu dhe do të merrni atë që prisni, por jo me koston e shtetësisë së Malit të Zi”, tha Milo Gjukanoviç, kandidat për president i Malit të Zi.

Jakov Millatoviç, deklaroi se është koha e duhur që Mali i Zi të shkëputet nga e kaluara.

“Unë jam i përkushtuar për marrëdhëniet më të mira absolute të mundshme me Serbinë dhe me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, më vjen keq që në periudhën e mëparshme nuk ishte kështu dhe mendoj se nga pozicioni i presidentit të Malit të Zi dhe natyrisht me Qeverinë e Malit të Zi do të bëj gjithçka që më në fund të kaluarën t’ia lejmë të kaluarës dhe të ndërtojmë realisht bashkërisht një të ardhme ekonomikisht më të fortë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Malit të Zi dhe Serbisë dhe të gjitha vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, dhe jam i sigurt se e ardhmja e përbashkët është anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian“, tha Jakov Millatoviç, kandidat për president.

Gjukanoviç, udhëheqës i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe president aktual i Malit të Zi, ka qenë një aleat kryesor i Perëndimit për kundërshtimin e ndikimit rus. Ndërsa, Jakov Millatoviç, kandidat i Lëvizjes Evropa Tani, është mbështetur nga disa parti pro-ruse.

Top Channel