“Nuk ka kompromis me glorifikimin e kriminelëve të luftës”, Forumi Shqiptar kërkon shkarkimin e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi

08/09/2026 10:23

Forumi Shqiptar ka njoftuar se do të mbështesë nismën për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiç, duke e lidhur vendimin me qëndrimin e tij ndaj glorifikimit të kriminelëve të luftës.

Në një postim në Facebook, pas mbledhjes së Kryesisë më 7 shtator, Forumi Shqiptar deklaron se deputetët e tij do të votojnë pro shkarkimit të Mandiçit, ndërsa thekson se vendimi është marrë njëzëri dhe nuk përbën mbështetje për propozuesin e nismës.

Sipas Forumit, çështja lidhet me parimin nëse Mali i Zi qëndron në anën e drejtësisë ndërkombëtare, viktimave dhe vlerave evropiane.

Postimi i plotë:

Kryesia e Forumit Shqiptar, në mbledhjen e mbajtur më 7 shtator 2026, përcaktoi datën e Kongresit, analizoi situatën politike dhe marrëdhëniet brenda shumicës parlamentare, si dhe nismën për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq.

Kongresi i Forumit Shqiptar do të mbahet më 31 tetor 2026 dhe do të përfaqësojë një hap të ri në bashkimin, forcimin dhe organizimin politik të shqiptarëve në Mal të Zi.

Kryesia vlerësoi se marrëdhëniet brenda shumicës parlamentare nuk janë gjithmonë në nivelin e partneritetit dhe përgjegjësisë së përbashkët të nevojshme, si dhe se qasja e një pjese të partive të shumicës ndaj Forumit Shqiptar dhe kërkesave legjitime të shqiptarëve duhet të përmirësohet ndjeshëm.

Partneriteti nënkupton respekt të ndërsjellë, dialog të sinqertë dhe zbatimin e asaj për të cilën është rënë dakord. Forumi Shqiptar ka dhënë një kontribut të konsiderueshëm në stabilitetin politik, funksionimin e institucioneve dhe integrimin evropian, prandaj presim që të gjithë partnerët ta respektojnë këtë kontribut.

Pavarësisht pakënaqësisë, do të vazhdojmë të veprojmë me përgjegjësi në mbrojtje të interesave të qytetarëve dhe të objektivit strategjik që Mali i Zi të bëhet anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian. Përfaqësuesit tanë në Qeveri kanë kontribuar drejtpërdrejt në mbylljen e pothuajse gjysmës së kapitujve të mbyllur gjatë mandatit të Qeverisë së 44-të.

Sa i përket nismës për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit, Kryesia vlerësoi se kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me votimin pro ose kundër një zyrtari të caktuar dhe as nuk përfaqëson mbështetje për propozuesin e nismës.

Çështja thelbësore është nëse Mali i Zi e pranon glorifikimin e kriminelëve të luftës apo qëndron në anën e drejtësisë ndërkombëtare, viktimave dhe vlerave evropiane.

Ratko Mlladiq është kriminel lufte, i dënuar me aktgjykim të formës së prerë nga një gjykatë ndërkombëtare. Çdo përpjekje për glorifikimin e tij është e papranueshme, antievropiane dhe në kundërshtim me të ardhmen që kanë zgjedhur qytetarët e Malit të Zi.

Për këtë arsye, shefi i Klubit Parlamentar të Forumit Shqiptar do ta nënshkruajë nismën për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, ndërsa deputetët e Forumit Shqiptar do të votojnë për shkarkimin e tij. Vendimi është marrë njëzëri.

Ky vendim nuk përfaqëson mbështetje për propozuesin e nismës. Ai buron nga parimet dhe vlerat e Forumit Shqiptar, të cilat nuk mund të jenë objekt i kalkulimeve të politikës së ditës dhe as i kompromiseve politike.

Pas votimit për nismën për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, Kryesia do t’i vlerësojë marrëdhëniet brenda shumicës parlamentare dhe do të marrë me përgjegjësi vendimet e mëtejshme, duke pasur parasysh interesat e shqiptarëve, stabilitetin politik dhe perspektivën evropiane të Malit të Zi.

FORUMI SHQIPTAR

Top Channel