Një shqiptar në Angli, Agim Agaj 53 vjeç është ndaluar nga policia dhe u mbajt në paraburgim për 15 orë pasi i gjetën çaj mali në fugonin e tij.

Oficerët angleze mendonin se shqiptari po transportonte kanabis dhe e prangosën. Për median The Sun Agimi shprehet:  Ishin dy policë. Një hapi derën e fugonit dhe pa se kisha një enë plastike dhe i tha policit tjetër se unë kam kanabis. I thashë që nuk është drogë, por çaj mali. Nuk më dëgjuan dhe më arrestuan. Çaji nuk duket aspak si kanabis dhe nuk e ka erën si të saj. Edhe një fëmijë mund të bëjë dallimin mes çajit dhe kanabisit.

Agimi u mbajt në një qeli të shtunën mbrëma në Weymouth, Dorset, dhe u mor në pyetje të nesërmen para se të lirohej sepse nuk kishte prova.

Ai tregon se oficerët kontrolluan shtëpinë e tij dhe shtëpinë e një shoku. Agimi, i cili pi çdo ditë çajin tradicional shqiptar, tha se nuk e dinte pse e ndaluan dhe shtoi: Nuk jam arrestuar kurrë. Ishte e frikshme.

Policia e Dorset tha: U krye një kontroll i automjetit dhe u raportua se u gjet një enë plastike me disa bimë dhe oficerët menduan se ishte drogë. Pas hetimeve të mëtejshme u konfirmua se lënda që u gjet nuk ishte drogë ilegale dhe burri u lirua pa asnjë akuzë.

Top Channel