Akuza penale e ngritur ndaj ish-Presidentit Donald Trump në Nju Jork, rrjedh nga një pagesë për të siguruar heshtjen e aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, bërë në ditët e fundit të fushatës presidenciale të zotit Trump në vitin 2016.
Pagesa prej 130,000 dollarësh, u bë nga avokati i zoti Trump, Michael Cohen, i njohur ndryshe si personi që arrinte të mbyllte marrëveshje kryesisht të pista. Pagesa u bë si pjesë e një skeme për të mbajtur të fshehura histori rreth marrëdhënieve jashtëmartesore të manjatit të pasurive të paluajtshme, që mund të ishin të dëmshme për të.
Zoti Cohen ka thënë se ai e ka bërë pagesën me udhëzimin e zotit Trump dhe se më vonë është rimbursuar nga Organizata Trump, kompania e pasurive të paluajtshme të ish-presidentit, që e regjistroi në financat e saj, si një shpenzim për shërbime ligjore. Zoti Cohen pranoi fajësinë për këtë rast dhe u dënua në vitin 2018, por prokurorët federalë nuk ngritën paditi ndaj ish-presidentit, duke ia kaluar çështjen Prokurorit të Qarkut të Manhatanit, për të hetuar nëse në këtë rast ishin shkelur ligjet e shtetit të Nju Jorkut.
Në dokumentet e gjykatës për rastin e zotit Cohen në vitin 2018, prokurorët federalë thonë se zoti Cohen, duke punuar me urdhër të zotit Trump, u përpoq të parandalonte akuzueset gra, që të dilnin publikisht gjatë fushatës së 2016-ës, e të rrëfenin marrëdhëniet seksuale, që pretendonin se kishin patur me ish kandidatin për president.
‘Kap dhe vrit’
Krahas zotin Cohen, një lojtar kyç në këto përpjekje ishte edhe David Pecker, drejtuesi i ‘American Media’ (AMI), një kompani që në atë kohë publikonte tabloidin ‘National Enquirer’.
Zoti Pecker, një mik i vjetër i zotit Trumpit, kishte ofruar ndihmën e tij në trajtimin e historive problematike të zotit Trump me gra, duke identifikuar histori, që mund të bliheshin dhe më pas të mos publikoheshin. Praktika njihet në industrinë mediatike si “kap dhe vrit”, ku gazetat, apo televizionet angazhohen nëpërmjet pagesave për të parandaluar një individ që ta bëjë publike një ngjarje që mund të dëmtojnë një palë të tretë. Në këtë rast ky do të ishte ish-Presidenti Donald Trump.
Në gusht të vitit 2016, ‘American Media’ ra dakord t’i paguante ish-modeles së revistës ‘Playboy’, Karen McDougal, 150,000 dollarë për të drejtat e historisë së saj, në lidhje me marrëdhënie të përfolura seksuale, që ajo kishte pasur me zotin Trump në 2006 dhe 2007. Historia e saj u ‘mbyll në sirtar’.
Dy muaj më vonë, një përfaqësues i zonjës Daniels informoi përfaqësuesit e kompanisë ‘American Media’, se ylli i pornografisë do të dilte publikisht me histoinë e saj, për një marrëdhënie seksuale që kishte patur me zotin Trump, por ishte e gatshme ta shiste historinë e saj.
Pasi nuk arriti të siguronte një marrëveshje me zonjën Daniels, zoti Pecker vuri agjentin e saj në kontakt me zotin Cohen, i cili negocioi një marrëveshje prej 130,000 dollarësh për të ‘blerë heshtjen e saj’, shkruanin prokurorët në dokumentat që datojnë gushtin e vitit 2018.
Pagimi i parave për të siguruar heshtjen e një personi nuk është i paligjshëm. Por prokurorët federalë thonë se regjistrimi i pagesës si një shpenzim ligjor për kompainë, konsiderohet si shkelje e ligjeve federale për financimin e fushatës zgjedhore.
Zoti Trump ka pranuar se zoti Cohen është rimbursuar për shumën prej 130,000 dollarësh, që i ka paguar zonjës Daniels. Sipas tij, pagesa u bë për të ndaluar ato që ai i ka quajtur ‘akuza të rreme, me synim zhvatjen’. Por ai ka hedhur poshtë se këto pagesa kishin lidhje me fushatën e tij për president, për t’u konsideruar si kontribut financiar. Ndërsa nuk dihet se për çfarë është akuzuar ish-presidenti nga prokuroria e Manhatanit, ekspertët ligjorë thonë se ka të ngjarë që akuzat penale të jenë përqendruar tek falsifikimi i të dhënave të biznesit.
Sipas ligjit të Nju Jorkut, falsifikimi i të dhënave të biznesit konsiderohet zakonisht kundërvajtja ligjore. Por kur kjo shkelje bëhet për të fshehur një krim tjetër, ajo ngrihet në shkallën e një vepre penale të dënueshme deri në katër vjet burg. Nuk është e qartë nëse në padinë penale, ka akuza të tjera, apo sa të tilla mund të jenë ngritur ndaj ish-Presidenti Donald Trump./Voa
Top Channel