“Rritje historike të pagave”/ Kryeministri Rama: 5 mijë lekë edhe pensionistëve! Në 2024, paga mesatare do të jetë 900 euro

29/03/2023 13:30

Kryeministri Edi Rama tregoi planet e qeverisë për një rritje pagash në nivele historike, siç e quajti ai, në sektorin shtetëror dhe atë privat gjatë harkut kohor 2023-2024.

“Do të kemi një rritje tani së shpejti të shkallëzuar, për një pjesë, detaje të cilat do t’i diskutojmë më konkretisht pas aktit të miratimit që do të vijë besoj unë brenda 10-15 ditëve të ardhshme dhe sigurisht do të publikojmë dhe planin e plotë që të gjithë ta dinë se çfarë do të pasojë. Pagat do të rriten për të gjithë dhe jo vetëm do të rriten për të gjithë në sektorin publik, por kjo reformë do të impaktojë drejtpërdrejtë sektorin privat”.

Kreu qeverisë shqiptare, dha këtë detaj për synimin ambicioz të nivelit të rritjes së pagave.

“Synon të realizojë një target të një page mesatare prej 900 eurosh, që do të thotë se jemi në kushtet e një mundësie të re, një mundësi që do ta shfrytëzojmë maksimalisht në të mirë të njerëzve, në të mirë të familjeve dhe pas rritjes së pagës minimale tani mund të shkojmë drejt rritjes edhe të pagës mesatare, e thashë në dy faza.  Do të kemi një rritje tani së shpejti të shkallëzuar, për një pjesë, detaje të cilat do t’i diskutojmë më konkretisht pas aktit të miratimit që do të vijë besoj unë brenda 10-15 ditëve të ardhshme dhe sigurisht do të publikojmë dhe planin e plotë që të gjithë ta dinë se çfarë do të pasojë”.

Vëmendja qeverisë theksoi kryeministri Rama ndaj pensionistëve nuk ka për tu ndalur asnjëherë.

“Për pensionistët do të ketë 5 mijë lek të reja ose 50 mijë lekë (të vjetra) që do të shkojnë në drejtim të tyre bashkë me pensionet që do të marrin herën e ardhshme. Ne nuk mund tu themi pensionistëve që nga taksa e jashtëzakonshme që mblidhet tani në fund të marsit ju nuk mund të merrni gjë se janë ca zgjedhje vendore”.

Kryeministri u angazhua në pasjen e rrogave për punonjësit e shtetit konkurruese me sektorin privat.

Top Channel