Dy ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike u zbuluan këtë të martë në Krujë.

Operacioni “Pëllumbi”, që është në vazhdën e goditjes të rasteve të kultivimit të kanabisit, ka vënë në pranga Shpëtim dhe Fatjon Halilin.

Operacioni u zhvillua në fshatin Qerekë të Krujës ku në banesën e shtetasit Shpëtim Halilit, u zbuluan dy ambiente që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike dhe që ishin përshtatur me llamba dhe pajisje të tjera, për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.

Gjatë kontrolleve në këto ambiente, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 268 bimë të dyshuara narkotike kanabisi, 51 llamba, 1 aspirator, 2 ventilatorë dhe 51 rritës të energjisë elektrike.

“Si rezultat i veprimeve operacionale në kuadër të këtij operacioni, u vunë në pranga shtetasit Shpëtim Halili, 39 vjeç, pronari i banesës dhe Fatjon Halili, 32 vjeç, vëllai i tij, të dy banues në Qerekë, Krujë. 32-vjeçari akuzohet se ka kryer lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike që shërbente për kultivimin e bimëve narkotike”, njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.

Top Channel