Armët bërthamore nga Rusia/ Bjellorusia: I pranuam për shkak të “presionit” perëndimor

28/03/2023 12:48

Bjellorusia ka deklaruar se është detyruar të pranojë armët bërthamore ruse, për shkak të presionit “të pashembullt” perëndimor.

Megjithatë, Minsku ka insistuar se pranimi i tyre nuk i ka shkelur marrëveshjet ndërkombëtare. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka prezantuar në fundjavë planin për dërgimin e armëve bërthamore taktike në Bjellorusi.

Ky vendim është dënuar ashpër nga Perëndimi.

“Bjellorusia është detyruar të përgjigjet për të forcuar kapacitetet e saj të sigurisë dhe mbrojtjes”, ka thënë Ministria e Jashtme në Minsk.

Ajo ka thënë se Minsku është përballur me presion “të pashembullt” politik dhe ekonomik nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.

Bjellorusia ka thënë se nuk do të ketë kontroll mbi armët dhe dërgimi i tyre në territorin e saj “nuk është në kundërshtim” me Traktatin për Mospërhapje të Armëve Bërthamore.

Minsku e ka lejuar Rusinë që ta përdorë territorin e tij për nisje të luftës në Ukrainë, vitin e kaluar. Të dyja shtetet kanë mbajtur edhe stërvitje të përbashkëta ushtarake dhe e kanë rritur bashkëpunimin në vitin e fundit.

“Bashkëpunimi ushtarak në mes të Bjellorusisë dhe Rusisë është duke u kryer në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, ka thënë ministrja bjelloruse.

Planet e Putinit për të dërguar armë bërthamore afër territorit të Bashkimit Evropian kanë nxitur thirrjet për sanksione të reja kundër Moskës.

Ndonëse shqetësimet sa shkojnë e rriten – prej kur Putin e ka nisur luftën në Ukrainë – shumë ekspertë besojnë se çfarëdo sulmi eventual rus, do të mund të bëhet me armë të vogla “taktike” dhe jo armë “strategjike”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA