Rrëzohet padia prej 50 milionë paund e Princit Harry/ Daily Mail fiton procesin në Gjykatën e Lartë
Lideri i Reform UK, Nigel Farage, ka njoftuar dorëheqjen nga mandati i deputetit, duke shkaktuar mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në zonën elektorale të Clacton.
Ai bëri të ditur se do të rikandidojë, duke e cilësuar votimin si një mundësi që qytetarët të japin verdiktin për veprimet e tij.
Vendimi i Farage vjen në një kohë kur ai përballet me dy hetime parlamentare që lidhen me deklarimin e përfitimeve dhe donacioneve të marra përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2024.
Sipas raportimeve, një nga hetimet ka të bëjë me dyshimet se Farage nuk ka deklaruar përfitime në natyrë të ofruara nga George Cottrell, i dënuar më herët nga drejtësia. Paralelisht, ai po hetohet edhe për pretendimet se nuk ka deklaruar një donacion prej 5 milionë paundësh nga miliarderi i kriptomonedhave me bazë në Tajlandë, Christopher Harborne.
Lideri i Reform UK i ka mohuar të gjitha akuzat, duke këmbëngulur se nuk ka shkelur asnjë rregull dhe se veprimet e tij kanë qenë në përputhje me ligjin.
Duke shpallur dorëheqjen, Farage tha se dëshiron që vendimin për të ta japin vetë votuesit.
“Kam menduar gjatë dhe kam vendosur sot të jap dorëheqjen si deputet për Clacton, duke shkaktuar zgjedhje të pjesshme që do të mbahen së shpejti. Kam vendosur që njerëzit e Clacton duhet të jenë ata që do të gjykojnë veprimet e mia”, deklaroi ai.
Farage e cilësoi garën e ardhshme si një përballje mes “popullit dhe establishmentit”, duke theksuar se do të kërkojë sërish besimin e qytetarëve. “Është një mundësi për t’i dërguar një mesazh establishmentit. Kjo është arsyeja pse po kandidoj përsëri në këto zgjedhje të pjesshme”, u shpreh lideri i Reform UK.
Zgjedhjet e pjesshme në Clacton pritet të zhvillohen në javët e ardhshme dhe konsiderohen një test i rëndësishëm politik për Farage, ndërsa ai përballet me hetimet parlamentare dhe kërkon një mandat të ri nga elektorati.
Top Channel