Pa kaluar 24 orë nga takimi në Ohër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tentoi të bindte opinionin se Aneksi i marrëveshjes me Kosovën nuk është obligativ, sepse nuk e ka nënshkruar. Sidooqoftë të menjëhershme ishin edhe mohimet nga BE dhe SHBA.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, Josep Borrell, por edhe nga i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë theksuar se marrëveshja është shumë e vlefshme.
Përmes një artikulli, media serbe “Nova” shkruan se sipas Borrell “marrëveshja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, e arritur në takimin në Ohër, u bë ligjërisht e detyrueshme në momentin kur Bashkimi Evropian doli me njoftimin.”
“Marrëveshja nuk u nënshkrua për arsye ligjore, por të dyja palët ranë dakord që deklarata ime (pas takimit të Ohrit) përfaqëson për të dyja palët një angazhim për t’u përkushtuar plotësisht ndaj detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje dhe zbatimi i saj”, tha Borrell pas takimit të ministrave të punëve të jashtme të BE-së.
Ai shtoi se ky është një moment historik i rëndësishëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve, që krijon një “status quo të re në dialog”. “Theksoj se BE-ja do të monitorojë procesin e zbatimit të gjithçkaje për të cilën është rënë dakord dhe shtoi se ka çështje urgjente që duhet të zbatohen menjëherë, siç është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.”
“Marrëveshja e arritur nga Kosova dhe Serbia në takimin në Ohër, në Maqedoninë e Veriut, është ligjërisht e detyrueshme. Ai është ligjërisht i detyrueshëm për të dyja palët në çdo aspekt. Nuk ishte çështje nënshkrimi, por obligimi”- do të shprehej Escobar, duke shtuar se: “Hapi i radhës për të dyja palët është fillimi i zbatimit të marrëveshjes.”
Kështu iu dha fund të gjitha spekulimeve nëse është e vlefshme apo jo marrëveshja nga Brukseli dhe Ohri, e cila u iniciua nga presidenti i Serbisë.
Vlen të theksohet se një ditë pas takimit në Ohër, përmes një prenoncimi për mediet serbe, Vuçiç tha se në kuptimin formal dhe juridik është e vështirë të vërtetohet se marrëveshja ekziston pa nënshkrim.
Pavarësisht ultimatumit të Borrell dhe Escobarit, Vuçiç tha se qëndrimi i tij nuk ka ndryshuar asnjë pikë para askujt. Sidoqoftë, sot udhëheqësi serb ka “zbutur” qëndrimet disi duke theksuar se vlen edhe marrëveshja verbale.
“Do ta përsëris edhe një herë – është ligjërisht e detyrueshme për Serbinë kur unë i vë nënshkrim ose vulë diçkaje ose kur bie dakord verbalisht ose gojarisht me të. Askush nuk mund të prodhojë pasoja ligjore për Serbinë, përveç presidentit të saj ose, në disa raste, kryeministrit apo ministrit të punëve të jashtme. Sa i përket zbatimit, Serbia do të përmbushë dhe do të bëjë gjithçka që ka thënë se do të bëjë për zbatimin”, do të shprehej dje Vuçiç.
Top Channel