Kuqezinjtë, në prag të Polonisë/ Skuadra kombëtare vazhdon përgatitjet për ndeshjen e parë eliminatore

21/03/2023 15:43

Kombëtarja e Shqipërisë zhvilloi seancën e dytë stërvitore nën drejtimin e Sylvinhos në “Shtëpinë e Futbollit” këtë herë ndryshe nga dita e hënë trajneri pati të gjithë lojtarët në dispozicion.

Elseid Hysaj, Marash Kumbulla, Ivan Balliu dhe Enea Mihaj ishin lojtarët e fundit që iu bashkuan grumbullimit ditën e hënë, duke plotësuar të gjithë grupin e Kombëtares. Ky i fundit zëvendëson në prapavijë Ardian Ismajlin e dëmtuar.

Sot ishte dhe dita e parë e programit të plotë stërvitorë për lojtarët kuqezi të cilët në fundjavë janë grumbulluar pas ndeshjeve të fundit që kanë zhvilluar në klubet e tyre.

Ende stafi i ri me Sylvinhon, Zabaletën dhe Dorivan janë një proces njohje me lojtarët dhe në ditët në vazhdim do të mësojmë më tepër rreth këshillave që trajneri i ri i ka dhënë lojtarëve kjo edhe në bazë të idesë së tij për mënyrën se si do të rreshtohet skuadra në këtë ndeshje të parë ndaj skuadrës më të fortë të grupit tonë që është Polonia. Seanca e paradites ka vazhduar normalisht me trajnerin të shndërruar në lojtarë, duke shpjeguar dhe duke qenë pjesë e ushtrimeve me djemtë.

Gjithsesi programi ka qenë i kujdesshëm për të mos rënduar më tepër fizikisht futbollistët të cilët vijnë nga ndeshjet e fundjavës dhe për të mos shtuar listën e atyre të të munguarëve për këtë ndeshje debutuese tonën që është relativisht e gjatë dhe me shumë emra të formacionit.

Seancat që po zhvillohet në “Shtëpinë e futbollit” nuk janë të vetmet që do të zhvillojë trajneri Sylvinho, pasi në programin e tij janë parashikuar edhe seanca të mbyllura të cilat do të zhvillohen në stadium larg syve të kureshtarëve por edhe kamerave, kryesisht këto do të jenë seancat stërvitore taktike që do të zhvillohen pranë ditës përpara se ekipi të largohet për në Varshavë.

Skuadra kombëtare do të niset më datë 26 mars drejt Polonisë ndërkohë që ndeshja do të luhet një ditë më pas, më 27 mars. Të gjithë shqiptarët do të kenë mundësinë ta ndjekin këtë takim drejtpërdrejtë në paketën SuperSport të platformës Digitalb.

Top Channel