Kuqezinjtë nisin eliminatoret e Euro 2024 në Varshavë përballë Polonisë me 27 mars

Trajneri brazilian do të debutojë në stolin kuqezi dhe shpreson ta nisë me rezultat pozitiv aventurën si trajneri i Shqipërisë.

“Është nder të jem trajneri i Shqipërisë. Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Falënderoj FSHF-në për mundësitë për të parë shumë lojtarë. I kemi ndjekur, i kemi takuar. Është bërë një punë e madhe prej dy muajsh. Kemi parë rreth 240 ndeshje ku janë aktivizuar lojtarët shqiptarë. Kemi parë rreth 70 lojtarë që janë në xhiron e Kombëtares. Kam takuar shumë lojtarë gjatë gjithë kësaj kohe”, ka thënë trajner i kombëtares shqiptare Sylvinho.

Sa i përket më tej mungesave për shkak të preferencave të tij, si Muçi, Çekiçi, Doka, Mihaj apo Roshi brazilian shton.

“Sigurisht që ata mund të jenë pjesë e Kombëtares në të ardhmen. Janë lojtarë të rëndësishëm, janë në fokusin tonë, si Muçi dhe Çekiçi. Ata mund të na ndihmojnë shumë në të ardhmen. Ky është një grumbullim për ndeshjen ndaj Polonisë. Në të ardhmen mund të ftojmë edhe lojtarë të tjerë. Të gjithë janë të rëndësishëm për ne, por këto janë zgjedhjet për këtë ndeshje”, ka thënë Sylvinho.

A e shqetëson trajnerin fakti që të dy portierët nuk luajnë asnjë minutë me klubet e tyre?

“Po flasim për dy portierë të rëndësishëm. Ata kanë bërë një rrugëtim të gjatë në Kombëtare. Kemi edhe lojtarë të tjerë me pak minuta. Duhet t’i vlerësojmë të gjithë, jo vetëm aspektin e minutave. Berisha dhe Strakosha nuk kanë luajtur me ekipet e tyre, por ata janë lojtarë të rëndësishëm dhe me eksperiencë”, ka thënë Sylvinho.

Pas Gjimshitit mbrëmjen e djeshme është dëmtuar edhe mbrojtësi tjetër i formacionit, Adruian Ismajli.

“Ai luajti vetëm 20 minuta, kërkoi zëvendësim, por nuk e dimë ende gjendjen e dëmtimit të tij. Ndoshta do të duhet të bëjmë një zgjedhje për ta zëvendësuar, por po presim përgjigjen përfundimtare të doktorit të Empolit. Më vjen keq për të dëmtuarit, por nuk duhet të qahemi”, është shprehur Sylvinho.

Kombëtarja shqiptare do të fillojë zyrtarisht grumbullimin të hënën dhe për herë të parë pas shumë vitesh ata do të zhvillojnë grumbullimin dhe seancat stërvitore pranë “Shtëpisë së futbollit” në kryeqytet”.

Top Channel