Koreja e Veriut paralajmëron fqinjët: Lëshon “bishën” balistike përpara takimit

16/03/2023 08:26

Koreja e Veriut i paralajmëroi fqinjët e saj me lëshimin e një raketë balistike në det midis gadishullit Korean dhe Japonisë.

Lëshimi nuk ishte rastësor, ai erdhi vetëm pak orë përpara se presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol të udhëtonte drejt Tokios për të marrë pjesë në një takim të nivelit të lartë, fokusi i të cilit janë pikërisht mënyrat për t’iu kundërpërgjigjur vendit të izoluar komunist.

Peniani ka hedhur një sërë raketash këtë javë, një formë e qartë reagimi kjo stërvitjeve të përbashkëta ushtarake të Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat ai gjithmonë i ka parë si veprime armiqësore. Ushtria koreano-jugore pohoi se Veriu kishte lëshuar të paktën një lloj rakete balistike të panjohur në brigjet e tij lindore.

Edhe qeveria japoneze konfirmoi hedhjen e raketës dhe roja bregdetare e Japonisë vlerësoi se ajo mund të ishte një armë me rreze të gjatë veprimi si raketat balistike ndërkontinentale.

Takimi i  Yoon Suk Yeol me kryeministrin japonez Fumio Kishida do të jetë i pari i këtij lloji në më shumë se një dekadë. Ai konsiderohet pjesë e një përpjekjeje për të kapërcyer mosmarrëveshjet historike, politike dhe ekonomike në emër të një bashkëpunimi më të mirë për t’iu kundërpërgjigjur Koresë së Veriut dhe sfidave të tjera.

Top Channel