“Sapo pata një bisedë telefonike me homologun tim rus, ministrin Shoigu,” tha Austin në një konferencë për shtyp në Pentagon. “Siç e kam thënë vazhdimisht, është e rëndësishme që fuqitë e mëdha të jenë modele të transparencës dhe komunikimit dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të fluturojnë dhe të kryejnë aktivitet kudo ku e lejon ligji ndërkombëtar.”
Ushtria amerikane tha se rrëzoi mbi Detin e Zi një dron zbulimi MQ-9, “Reaper” të Forcave Ajrore pasi një avion luftarak rus goditi helikën e tij ndërsa po fluturonte në hapësirën ajrore ndërkombëtare. Rusia ka mohuar se ishte shkaktare e incidentit.
SHBA-ja tha se po punonte për deklasifikimin e videos së regjistruar nga droni që do të tregonte pamjet e rrëzimit të së martës.
Fakti që Sekretari Austin dhe Ministri Shoigu komunikuan drejtpërdrejt, tregon seriozitetin e incidentit mbi Detin e Zi.
Që kur filloi agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, kontaktet midis udhëheqësve ushtarakë të SHBA-së dhe Rusisë kanë qenë të kufizuara. Zyrtarët rusë refuzuan të pranonin biseda telefonike me zyrtarë ushtarakë të SHBA-së në muajt e parë të luftës.
Gjenerali Mark Milley, Shefi i Shtatmadhorisë, tha se kishte në plan të bisedonte edhe me homologun e tij rus, gjeneralin Valery Gerasimov, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të forcave të armatosura ruse.
Gjenerali Gerasimov u emërua komandanti i ri i forcave ruse në Ukrainë në janar dhe paraardhësi i tij u shkarkua në një shenjë të qartë pakënaqësia nga ana e presidentit rus Vladimir Putin me gjendjen e luftës.
Ka pikëpyetje lidhur me faktin nëse Rusia donte ta rrëzonte me qëllim dronin, megjithëse veprimet në momentet para rrëzimit ishin “të qëllimshme”, tha gjen. Milley.
“Ne e dimë se përgjimi ishte i qëllimshëm. E dimë se sjellja agresive ishte e qëllimshme,” tha gjenerali Milley. “Megjithatë, është ende e paqartë nëse vetë përplasja ishte e qëllimshme”, u tha ai gazetarëve në konferencë.
Gjenerali Milley tha se droni ka të ngjarë të jetë fundosur në ujërat që 1,200 deri në 1,500 metra të thella.
Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov u tha gazetarëve më herët të mërkurën se Rusia ka shpallur disa zona të Detit të Zi të ndaluara për çdo trafik ajror gjatë konfliktit dhe sugjeroi se Shtetet e Bashkuara po përpiqeshin të provokonin një përshkallëzim me fluturimet e tyre. Droni u rrëzua pranë Gadishullit të Krimesë, të cilin Rusia e mori nën kontroll në vitin 2014 dhe e aneksoi ilegalisht.
“Çdo incident që mund të provokojë konfrontim midis dy fuqive të mëdha, dy fuqive më të mëdha bërthamore, ngre rreziqe shumë serioze,” tha zoti Lavrov.
Sekretari Austin dhe Ministri Shoigu folën për herë të parë lidhur me agresionin rus ndaj Ukrainës në maj 2022. Në atë kohë ishte kontakti i nivelit më të lartë SHBA-Rusi gjatë luftës.
Në tetor, ata folën dy herë në tre ditë pasi kërcënimi i një përshkallëzimi ishte i lartë. Zoti Shoigu kishte akuzuar Ukrainën se planifikonte të përdorte një bombë radioaktive, një pretendim që u hodh poshtë me forcë nga SHBA dhe aleatët perëndimorë, të cilët akuzuan Rusinë se po përpiqej të gjente një pretekst të rremë për të justifikuar përshkallëzimin e mëtejshëm, përfshirë përdorimin e mundshëm të një arme bërthamore taktike.
Droni amerikan që kushtonte 32 milionë dollarë dhe përmban teknologji të ndjeshme, nuk është gjetur. Shtetet e Bashkuara nuk kanë anije ushtarake që operojnë në Detin e Zi, i cili është mbyllur që nga fillimi i vitit 2022 për anijet ushtarake që nuk kanë një port përgjatë brigjeve të tij.
Zyrtarët amerikanë thanë se Rusia tashmë ka dërguar anije në zonë dhe është përpjekur të gjejë pjesë të dronit. Zyrtarët folën në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht për këtë çështje./ Zëri i Amerikës