Nata e dhjetë e sulmeve të SHBA-së ndaj Iranit/ Forcat amerikane godasin instalimet raketore dhe të dronëve, kundërpërgjigjet Teherani
Një 28-vjeçar është akuzuar për vrasjen e ish-ministres britanike Anne Widdecombe, e cila u gjet e vdekur në shtëpinë e saj në jugperëndim të Anglisë në fillim të këtij muaji.
Prokurorët britanikë njoftuan se Joshua Kerry, shtetas britanik, akuzohet për vrasjen e 78-vjeçares, e cila u gjet më 9 korrik me plagë të rënda në trup. Ai pritet të dalë para Gjykatës së Magjistraturës në Westminster, në Londër.
Policia vijon hetimet për të zbardhur motivet e mundshme të ngjarjes dhe nëse ekzistojnë lidhje me qarqe politike apo terroriste. Prokurori Frank Ferguson, nga Shërbimi Special i Krimeve dhe Kundër Terrorizmit, deklaroi se hetimi mbetet aktiv dhe po shqyrtohen të gjitha pistat.
Anne Widdecombe kishte qenë ministre në qeverinë konservatore të John Major gjatë viteve 1992-1997 dhe më vonë u bë një figurë e njohur e partisë Reform UK të Nigel Farage, ku mbajti qëndrime si zëdhënëse për çështjet e emigracionit dhe drejtësisë.
Ajo kishte lënë parlamentin në vitin 2010, por vazhdoi të ishte aktive në jetën publike përmes qëndrimeve të saj politike. Widdecombe ishte e njohur për bindjet e saj konservatore, kundërshtimin ndaj legalizimit të abortit dhe qëndrimet e saj mbi çështje sociale.
Ish-deputetja britanike ishte konvertuar gjithashtu në katolicizëm, një vendim që ajo e kishte lidhur pjesërisht me kundërshtimin ndaj shugurimit të grave në Kishën e Anglisë.
Autoritetet britanike po vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të vdekjes së saj dhe motivin e dyshuar pas sulmit.
Top Channel