Trafiku i fëmijëve/ Italia rihap çështjen tronditëse të 3-vjeçares së zhdukur 30 vjet më parë pas informacioneve të reja (fotot)

08/03/2023 18:03

Çështja shokuese e zhdukjes së një vajze të vogël rreth 30 vjet më parë në Itali, është rihapur nga hetuesit pas disa informacioneve të reja për pikasje të mundshme.

Angela Celentano u zhduk pa lënë gjurmë teksa ishte në një piknik me familjen në Napoli.

Policia po rishikon tashmë “krimin e ftohtë”, siç quajnë zyrtarët ngjarjet e pazgjidhura të kohëve më parë, pas raportimeve se një person që mund të jetë ajo është parë në një ishull në Turqi.

Raportimet thonë se një vajzë që i ngjan rindërtimit elektronik të fytyrës së të voglës së zhdukur, jeton në Buyukada pranë Stambollit, por prindërit besojnë se shanset për të qenë gjallë janë të pakta.

Celentano u zhduk papritur më 10 gusht 1996 dhe shumë tentativa për gjetjen e saj nuk kanë arritur asnjë gjurmë.

Autoritetet italiane thonë tashmë se po kërkojnë një grua të quajtur Angela e cila jeton me një burrë që beson se është babai i saj.

Informacioni duket se ka ardhur nga një grua e quajtur Vincenza Trentinella e cila pretendon se këtë ia tha një prift para se të vdiste, të cilit i ishte rrëfyer nga një besimtar.

Trentinella thotë se kishte udhëtuar drejt Buyukada për të gjetur vajzën e rrëmbyer dhe e kishte takuar atë.

Sipas rrëfimit të saj pak të besueshëm, kur ishte kthyer në Itali ajo kishte informuar policinë e cila po heton në bashkëpunim me autoritetet turke.

Prindërti e Celentano, Maria e Catello, thonë se mund të besojnë se vajza e tyre do të kthehet në shtëpi pas 27 vjetësh.

Por shpresat reduktohen nga fakti se gjatë viteve disa njerëz janë deklaruar se janë fëmija e humbur teksa më pas asnjë prej grave nuk ka qenë me të vërtetë Celentano.

Vitin e kaluar në Itali llogaritej se zhdukeshin një mesatare prej 30 të miturish në ditë, 20 të huaj dhe 10 italianë, sipas të dhënave zyrtare, në një tendencë shqetësuese mbi përmasat e trafikut njerëzor në përgjithësi dhe të të miturve në veçanti.

Foto të Celentano janë shpërndarë prej kohësh në ekranet e shërbimeve dixhitale të vndeve të ndryshme por pa përgjigje.

FOTO GALERI
1/3
Çështja shokuese e zhdukjes së një vajze të vogël rreth 30 vjet më parë në Itali, është rihapur nga hetuesit

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA