Tre persona janë arrestuar në Shkodër pasi në një ambient që përdorej si magazinë janë gjetur rreth 700 kg duhan të grirë, me qëllim shitjen në kundërshtim me ligjin.

Si rezultat i një hetimi disa mujor janë arrestuar 55 vjeçari K. G., banues në fshatin Muriqan, Shkodër; 58 vjeçari H. G., banues në fshatin Oblikë, Shkodër; dhe 58 vjeçari A. G., banues në fshatin Shtuf, Shkodër.

700 kg duhan i girë ishin të ndara në 42 thasë që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Tre të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabande”, të kryera në bashkëpunim.

Sipas policisë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

“Shkodër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Tobacco”, si rezultat i një hetimi disamujor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës. Kishin magazinuar 42 thasë me peshë totale rreth 700 kg duhan të grirë, me qëllim shitjen në kundërshtim me ligjin, arrestohen në flagrancë 3 shtetas dhe sekuestrohet sasia e madhe e duhanit. Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Shkodër, si rezultat i një hetimi disamujor, të realizuar me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, me qëllim goditjen e shitje së kundërligjshme të duhanit të grirë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Tobacco”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan ne flagrancë shtetasit: -K. G., 55 vjeç, banues në fshatin Muriqan, Shkodër; -H. G., 58 vjeç, banues në fshatin Oblikë, Shkodër; -A. G., 58 vjeç, banues në fshatin Shtuf, Shkodër. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në një ambient që përdorej si magazinë nga 3 shtetasit e arrestuar, gjetën dhe sekuestruan 42 thasë me peshë totale rreth 700 kg duhan të grirë që mbahej me qëllim tregtimin në kundërshtim me rregullat për shitjen e duhanit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabande”, të kryera në bashkëpunim”, sipas njoftimit të policisë.

Top Channel