Ukraina ka rinisur bisedimet me partnerët për zgjatjen e marrëveshjes për grurin në Detin të Zi, që këtë herë po zhvillohen online.
Edhe pse ende nuk janë zhvilluar diskutime me palën tjetër kryesore në këtë mes, Rusinë, e cila i bllokoi portet ukrainase ne Detin e Zi pas pushtimit vitin që shkoi duke shkaktuar tension në tregjet globale, zyrtarët ukrainase thonë se e kanë të qartë që për këtë çështje partnerët duhet të bisedojnë dhe me Moskën.
Nëse palët nuk bien dakord për zgjatjen e saj, marrëveshja e grurit mes Ukrainës dhe Rusisë, e cila u arrit me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara dhe Turqisë, skadon në 18 mars.
Marrëveshja që lejon eksportin e sigurt të grurit nga portet e Ukrainës, u arrit korrikun e vitit të kaluar pas një rritjeje të ndjeshme të çmimit të ushqimeve në Europë e pjesë të tjera të globit. Përmes saj, u krijua një korridor i mbrojtur transiti detar, qëllimi I të cilit ishte pikërisht zbutja e mungesave globale të ushqimit duke lejuar rifillimin e eksporteve nga tre portet kyçe të Ukrainës, e cila është prodhuesja e shtatë më e madhe e grurit në botë dhe parashikohet të jetë eksportuesja e pestë kryesore.
Një rikthim i bllokadës së grurit do të godiste fuqishëm jo vetëm ekonominë ukrainase, edhe kështu të dërrmuar nga lufta, por do të ndikonte njëkohësisht dhe në një rritje tjetër të çmimeve dhe një inflacion akoma më të lartë.
Top Channel