Mbretëria e Bashkuar është e vendosur për të penguar azilin për personat që shkojnë me gomone.
Sekretarja e Brendshme Suella Braverman njoftoi se në ligjet që do të shpallen javën e ardhshme, autoritetet do të ndalojnë dhe largojnë këdo që kërkon të hyjë në Britani ilegalisht.
Kryeministri, Richi Sunak ka deklaruar tashmë se ndalimi i gomoneve është një nga pesë prioritetet e tij, në këtë situatë të vështirë që ndodhet vendi.
Legjislacioni i ri me pikat përkatëse pritet të miratohet këtë të martë për azilkërkuesit që mbërrijnë me gomone.
Ata përveçse do të pengohen të kërkojnë azil në Britani, do të largohen në Ruandë ose në një vend të tretë dhe do tu ndalohen të kthehen përgjithmonë.
“Mos bëni gabim, nëse vini këtu ilegalisht, nuk do të mund të qëndroni. Migrimi i paligjshëm nuk është i drejtë për taksapaguesit britanikë, nuk është i drejtë për ata që vijnë këtu ligjërisht dhe nuk është e drejtë që bandat kriminale të lejohen të vazhdojnë tregtinë e tyre imorale. Unë jam i vendosur të mbaj premtimin tim për të ndaluar anijet”, deklaroi Sunak.
Kryeministri britanik pritet të udhëtojë në Paris për një samit MB-Francë të premten. Takimi me presidentin Emmanuel Macron do të jetë samiti i parë MB-Francë që nga viti 2018. Mendohet se dy politikanët do të diskutojnë për krizën e emigrantëve që mbërrijnë me gomone.
Sipas Braverman rruga e vetme për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar do të jetë një e sigurt dhe ligjore.
Kryqi i Kuq Britanik deklaroi se planet do të bënin pak për të ndaluar njerëzit që të rrezikonin jetën e tyre për të kërkuar siguri. Një tjetër organizatë bamirëse (Freedom from Torture) e cila ofron terapi për azilkërkuesit, i quajti vendimet hakmarrëse dhe jofunksionale.
Vitin e kaluar, qeveria njoftoi një marrëveshje me Ruandën për të dërguar azilkërkuesit atje me një biletë me një drejtim. BBC shkruan se plani nuk ka filluar ende pasi u përball me kundërshtime nga aktivistët dhe ligji.
Kundërshtarët argumentuan se Ruanda nuk ishte një destinacion i sigurt dhe skema shkelte ligjet e të drejtave të njeriut.
Pavarësisht polemikave në dhjetor Gjykata e Lartë vendosi se skema nuk shkelte Konventën e OKB-së për Refugjatët.
Sipas planit, azilkërkuesve mund t’u jepet statusi i refugjatit për të qëndruar në Ruandë ose për të kërkuar azil në një nga zonat e vendeve të treta.
Një total prej 45,755 emigrantësh kaluan Kanalin për në Britani në vitin 2022, një shofër e lartë krahasuar me vitin 2018. Shifrat e fundit të Home Office tregojnë se 2,950 emigrantë kanë kaluar Kanalin tashmë këtë fillim viti.
Azilkërkuesit që vijnë në Britaninë e Madhe janë nga një sërë vendesh, duke përfshirë Shqipërinë, Iranin, Irakun, Afganistanin dhe Sirinë.
Shumica e atyre që vijnë me gomone kërkojnë azil pas mbërritjes në Britani dhe nëse rasti i tyre pranohet, ata mund të aplikojnë për të qëndruar aty.
Top Channel