Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken akuzoi Moskën për shtypjen e kritikëve në vend dhe u bëri thirrje hetuesve të mandatuar nga OKB-ja, që të vazhdojnë të dokumentojnë të dhëna, rreth dyshimeve për abuzime të kryera nga Moska në Ukrainë.
Komentet Sekretari Blinken i bëri sot gjatë një fjalimi me video, drejtuar Këshillit të të Drejtave të Njeriut me bazë në Gjenevë. Kryediplomati amerikan ngriti gjithashtu shqetësimeve mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Afganistan, Iran dhe Kinë.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Rusia po shtyp dhe në mënyrë sistematike po i mbyll gojën shoqërisë civile në vend.
“Qeveritë që kryejnë mizori jashtë vendit, ka të ngjarë gjithashtu të shkelin të drejtat e njeriut në vendin e tyre dhe kjo është pikërisht ajo që po bën Rusia. Qeveria ruse mban tashmë më shumë se 500 të burgosur politikë. Në janar, ajo shkatërroi Grupin e Helsinkit të Moskës, një prej organizatave të fundit të të drejtave të njeriut, që lejohej të funksiononte në këtë vend. Shtypja sistematike e zërave të pavarur nga qeveria, shtypja e shoqërisë civile ruse, e bën punën e raportuesit special për të drejtat e njeriut në vend, edhe më të rëndësishme“.
Gjatë fjalimit të tij me video për Këshillin e të Drejtave të Njeriut në Gjenevë, Sekretari Blinken tha se ky organizëm ka luajtur një rol vendimtar për të hedhur dritë mbi abuzimet e tmerrshme dhe të vazhdueshme të Moskës në Ukrainë. Ai solli në vëmendje krijimin e Komisionit të Pavarur Ndërkombëtar që po heton krimet e kryera në Ukrainë.
“Raporti i parë i komisionit, dalë në tetor, arriti në përfundimin se Rusia ka kryer krime lufte dhe shkelje të ligjeve ndërkombëtare që rregullojnë sjelljen gjatë konflikteve të armatosura. Për sa kohë që Rusia vazhdon të të luftojë, komisioni duhet të vazhdojë të dokumentojë abuzime të tilla, duke ofruar të dhëna të paanshëm të asaj që po ndodh, e duke krijuar një bazë për përpjekjet brenda vendit dhe ato ndërkombëtare, që autorët të mbahen përgjegjës“, tha ai.
Kryediplomati amerikan ngriti gjithashtu shqetësimeve mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Afganistan, Iran dhe Kinë. Sipas gjetjeve të një raporti të OKB-së, publikuar vitin e kaluar, ndalimi i ujgurëve dhe pjesëtarëve të komuniteteve të tjera myslimane nga Kina mund të përbëjnë krime kundër njerëzimit. Organizata po shqyrton mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve të mëtejshme në këshill për të rritur kontrollin ndaj Pekinit, por ky i fundit i ka hedhur poshtë akuzat për abuzime.
“Ne mbetemi jashtëzakonisht të shqetësuar për gjenocidin e vazhdueshëm dhe krimet kundër njerëzimit që Kina po kryen kundër ujgurëve myslimanë dhe anëtarëve të tjerë të grupeve minoritare në Xinjiang. Raporti i lëshuar vitin e kaluar nga Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut pohoi abuzime serioze të kryera nga Kina, sikurse zhveshja në shkallë të gjerë e anëtarëve të komunitetit ujgur dhe komuniteteve të tjera kryesisht myslimane, nga e drejta e tyre për liri. Po kështu ka akuza të besueshme për torturë, dhunë seksuale, e dhunë me bazë gjinore“.
Shtetet e Bashkuara u rikthyen në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, një organizëm me 47 vende, vitin e kaluar, pasi ish-Presidenti Donald Trump vendosi ta largojë Uashingtonin nga këshilli për shkak të dyshimeve për qëndrime kundër Izraelit. Këshilli, ku Kina dhe vendet autokrate, po fitojnë ndikim, është i vetmi organ ndërqeveritar që mbron të drejtat e njeriut në mbarë botën dhe ka kompetenca për të nisur hetime ndërkombëtare.
Top Channel