Vrasja e tre grave ditën e djeshme nga Dan Hutra ka ngritur sot në protestë qytetarë e aktivistë të cilët janë mbledhur para Ministrisë së Drejtësisë.
Protestuesit ngrenë një sërë pyetjesh se pse Dan Hutra lihej i lirë, pas gjithë këtyre krimeve që kishte bërë që prej vitit 2007 kur vrau gruan e parë.
Ata mbajnë pankarta në duar me mbishkrimet: “Edhe sa vrasës janë të lirë nga gjykimi i shkurtuar”, “Çun i mirë ky ta lirojmë”, “E liruan për të vrarë gratë”, “Gjyqtarët vrasës”, “Kamza në zi par gratë”, “Gratë vriten, shteti hesht”, “Shteti është përgjegjës për vrasjet”, etj.
Dan Hutra, rreth mesditës së mërkurës tronditi kryeqytetin me 3 ngjarje të ndryshme kriminale duke lënë pas 3 gra të vrara dhe 3 të tjera të plagosura në më pak se një orë. Gjakftohtë dhe i armatosur ai u përlesh fillimisht me Marjana Gurakuqin ne Astir duke tentuar t’i marrë paratë duke e lënë atë të plagosur me thikë në dorë. Më pas ai shkoi në banesën e familjes së ish bashkëshortes së tij Elena Hysës në zonën e kodër Kamzës ku qëlloi me breshëri drejt grave të familjes. Ai është afruar në oborrin e banesës së familjarëve të ish-gruas së tij dhe ka qëlluar me breshëri automatiku duke lënë pa jetë motrën e gruas dhe nusen e vëllait të saj dhe plagosi ish bashkëshorten dhe nënën e saj. Gjakftohtë pasi kreu krimin ai u largua i armatosur me mjetin e tij Benz.
Të pajeta në vendin e ngjarjes mbetën Mevlude Hysa dhe Hasime Dafku ndërsa në spital po marrin ndihmë mjekësore Elena e Kujtime Hysa.
Më pas, ai shkon te banesa e Etleva Kurtit dhe ka qëlluar drejt saj 3 herë duke e lënë të vdekur në vend 31-vjeçaren e cila ndodhej në oborr.
Kjo nuk ishte hera e parë e Dan Hutrës që përfshihej në krime. Në vitin 2003 ai është arrestuar për pengmarrje të nënës dhe kunatës dhe përdhunim të kunatës tjetër ndërsa në 2007 u arrestua për vrasjen me thikë të bashkëshortes.
Në qershor të 2022 ai u rikthye në burg me akuzën e dhunës në familje ku u lirua pak javë më parë më 16 shkurt të këtij viti. Dan Hurda akuzonte bashkëshorten e tij Elenën se fëmijën që priste nuk e kishte me të dhe për këtë fakt e dhunonte. Ika e saj nga shtëpia dhe rikthimi tek prindërit e agravoi situatën aq sa ish-dhëndri paralajmëroi vrasjen që e vuri në zbatim pasi doli nga burgu.
Top Channel