Numri i turistëve të huaj që vizitojnë Tiranën është katërfishuar në vitet e fundit duke e kthyer kryeqytetin në një aktor të rëndësishëm të industrisë së turizmit.
Kryebashkiaku Erion Veliaj zhvilloi një bashkëbisedim me guidat turistike në kryeqytet, me të cilët theksoi se numri i lartë i turistëve ka ardhur pas investimeve dhe transformimit që ka përjetuar Tirana.
“Unë besoj se, të paktën për pjesën e Tiranës qendrore, ia ka vlejtur mundimi dhe bashkëpunimi që kemi pasur. Kur kujtoj që, sidomos në vitin e kaluar kur kemi pasur edhe titujt Kryeqyteti Europian i Rinisë, apo këtë vit ai i Sportit, e kam pasur sfidë të hyj e të dal nga Bashkia prej grupeve të turistëve. Jam ndierë sikur jetoja në Babel, kur dëgjoja çfarë gjuhe fliste një grup dhe nuk e fliste grupi tjetër. Në këtë sens, unë besoj që këto janë ditët më të mira të turizmit në Tiranë. Pra, me gjithë problematikat që kemi, më mirë se kaq nuk ka qenë përpara dhe nuk ka qenë kurrë”, tha Veliaj.
Ndër atraksionet kryesore turistike ku është ndërhyrë së fundmi, Veliaj veçoi Piramidën, për të cilën tha se shumë shpejt do jetë në 3 pikat më të vizituara të Tiranës.
“Nuk besoj ka kaluar një vit që s’kemi shtuar një stacion të ri ku vërtet ia vlen të çosh turistë. Filluam me “Shtëpinë e gjetheve”, vazhduam me “Pazarin e Ri”, me Kalanë e Tiranës dhe janë bërë disa të quajtura “tourist traps”. Jam i bindur që Piramida do jetë atraksioni, në mos vendi më i instagramuar, të paktën tek tre më të kërkuarit nga turistët. Ai është një ballkon 360 gradë i Tiranës” , tha Veliaj.
Dy stacionet e reja për t’u vizituar nga turistët që do shtohen shumë shpejt janë “Sarajet” që është shpronësuar nga Bashkia dhe do të kthehet në Muzeun Etnografik të Tiranës dhe Shtëpia e Libohovitëve. Ndërkohë ka filluar puna për shtëpinë “Dritëro Agolli”.
Top Channel