Tërmeti i fundit në Turqi solli shkatërrim, duke i lënë shumë prej të mbijetuarve në mjerim.

Në këto kushte gjimnazi “Gjergj Kastrioti” në Durrës e vlerësoi më të rëndësishëm se kurrë solidaritetin me ta. Nxënësit dhe prindërit e tyre iu përgjigjën menjëherë thirrjes së mësuesve për të ndihmuar bashkëmoshatarët turq dhe për t’u përcjellë atyre mesazhin se nuk janë vetëm në këtë fatkeqësi.

“Hodhëm disa ide në lidhje me ndihmat që donim të çonim atje dhe u propozuan ndihma monetare, batanije, por në fund vendosëm të ndihmonim me ujë, duke qenë se uji është burimi i jetës, një prodhim vendas. Kemi dëgjuar për situatën atje, për sëmundje dhe mungesë të madhe uji dhe meqë është kaq i rëndësishëm vendosëm për të”, tha një nxënëse.

“Nxënësit ishin shumë të gatshëm për ta përqafuar këtë nisëm dhe ne arritëm të siguronim 770 lidhje ujë”, u shpreh një tjetër nxënëse.

“Ne përpiqemi sado pak të ndihmojmë që ata ta kenë sa më të lehtë jetesën në kushtet që kanë. Prandaj në bashkëpunim me shkollën ne si prindër vendosëm të ndihmojmë”, tha një prind.

Nxënësit dhe mësuesit e këtij gjimnazi, që u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit ende po i vuajnë pasojat e kësaj fatkeqësie natyrore.

“Shkolla u dëmtua nga tërmeti shkatërrimtar dhe fëmijët tanë po bëjnë mësimin në një shkollë tjetër. Duke u bërë solidarë, duke ndihmuar dikë tjetër ne kërkojmë që sa më shpejt të na ndërtohet shkolla dhe ata të punojnë në kushte normale për një edukim sa më të mirë”, u shpreh një tjetër prind.

“Na është thënë se gërmimet arkeologjike kanë përfunduar dhe ka rezultuar zonë e pastër për ndërtim dhe pritet që rindërtimi të nisë nga dita në ditë”, tha një nxënëse.

Në Durrës, këta nxënës dhe shumë të tjerë e kanë kuptuar se pavarësisht se sa të vogla mund të duken kontributet individuale, kur ata bëhen bashkë mund të sjellin një ndikim të madh në jetët e të mbijetuarve nga fatkeqësitë.

Top Channel