Policia e Elbasanit arrestoi dy persona të cilët dyshohen se me mjetin tip “BMW” të mbushur me armë do të bënin atentat ndaj një biznesmeni.

Arben Spahiu 53 vjeç dhe Arsen Preçi 44 vjec akuzohen për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.

Në kuadër të operacionit “Inteligjenca” mbrëmjes e së shtunës policia parandaloi një ngjarje të rëndë kriminale ndërsa sekuestroi në një mjet tip “BMW”, 3 armë zjarri automatike, dy bidona benzinë dhe një pistoletë.

Është ende e paqartë shenjestra, por burime zyrtare të prokurorisë së Elbasanit bëjnë me dije, se duke u nisur nga sasia e madhe e municionit dhe armëve kemi të bëjmë me një ngjarje me me përmasa të mëdha.

Por si arriti policia në parandalimin e ngjarjes së rëndë. Pasi mori informacion se në qytet po përgatitej një atentat policia shtoi praninë në qytet ndërsa kreu kontrolle edhe në disa persona të dyshuar.

Kjo bëri që dy persona e arrestuar tashmë, të braktisnin mjetin në një magazinë të braktisur në lagjen “Emin Matraxhiu”. Sic e kërkon procedura, pasi identifikoi mjetin, policia ushtroi kontroll në perimetrin e tij ku në një kontejner gjeti një çantë brenda së cilës ishin çelësat e BMW-së, maskë, doreza, pistoleta dhe dokumente me emër të falsifikuar grek, por me fotografinë e njërit prej personave të arrestuar tashmë.

53-vjeçari Arben Spahiu ka lidhje familjare me Erion Alibejn, i arrestuar dy vite më parë si porositësi i vrasjes së Regis Runajt dhe Emiljano Ramazanit.

Erion Alibej është vëllai i Endrit Alibejt i cili mbeti i vrarë në një atektat mafioz në dhjetor të vitit 2018 në Bradashesh të Elbasanit ku gjithashtu mbetën të vrarë kushëriri i tij edhe një shtetas turk.

Policia thotë se nuk ka ende prova zyrtare se ngjarja e së shtunës ka lidhje me pararendëset ndërkohë për hetimin e thelluar të këtij rasti është duke punuar një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistët më të mirë të hetimit të krimit të DVP Elbasan,  specialistët e Drejtorisë për Krimet e Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale dhe ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore,  nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor, identifikimin dhe kapjen e të gjithë personave të përfshirë.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA