Krimet e të miturve, më shumë vjedhje/ 50 u arrestuan gjatë 2022, qindra hetohen në gjendje të lirë

19/02/2023 15:03

Një 16 vjeçar së bashku me dy bashkëmoshatarë të tjerë ishin shndërruar në tmerrin e bizneseve në Shkodër, pasi pothuajse çdo ditë kryenin vjedhje.

Blutë e Shkodrës kishin muaj që i kishin identifikuar si autorë me ndihmë të kamerave të sigurisë dhe i kishin proceduar në gjendje të lirë. Por kur numri i vjedhjeve shkoi mbi 50 policia u detyrua të arrestojë 3 të miturit.

Ndërsa në Lezhë një 17 vjeçar në Laç plagosi me armë zjarri një 15 vjeçar para oborrit të shkollës.

Rasti i hajdutëve serialë në Shkodër apo sherri me armë mes adoleshenteve në Lezhë, është tregues i nivelit të lartë të kriminalitetit mes të miturve. Nisur nga statistikat gjatë 2022 janë arrestuar 50 të mitur për vepra të ndryshme penale dhe qindra të tjerë janë hetuar në gjendje të lirë. Numri më i lartë i tyre është për vjedhje.

Edhe në zonat periferike të kryeqytetit krimi nga të miturit është shndërruar në problem dhe policia e ka të vështirë të veprojë për shkak të moshës së  tyre.  Në rast të krimit nga një i mitur ai shoqërohet vetëm në prani të psikologut, kujdestarit dhe një mbrojtësi ligjor në një ambient të përshtatshëm për moshën e tij si edhe nuk mund të qëndrojë në polici pas orës 20.00. Këto lehtësi janë shfrytëzuar nga të miturit që shpesh janë përsëritës dhe në rastet më të këqija përdoren nga më të rriturit për të kryer vjedhje apo krime të tjera.

Top Channel