Pa mbushur ende viti nga vdekja e Arben Micit brenda ambienteve të policisë, prokuroria e Tiranës ngriti akuzë për dy oficerë të cilët në mbyllje të hetimeve u dorëzuan si të pandehur për shpërdorim detyre.
Sipas Prokurorisë, policët Fatmir Isufi dhe Hajredin Boja mbetur i dëmtuar nga zjarri që përfshiu dhomat ku mbaheshin të shoqëruar të arrestuarit, shkelën rregulloren kur i lejuan 26-vjeçarit sende të ndaluara në një dhomë paraburgimi, me të cilat më pas viktima pasi ndezi cigaren u vuri flakën dyshekëve.
Kjo akuzë ndaj policëve mbështetet nga çakmaku që ju gjet në xhep të ndjerit, i arrestuar për dhunë në familje dhe që në krye të pak orëve nga arrestimi doli i pajetë nga komisariati numër 5.
Në dosje Prokuroria nuk mban asnjë qëndrim lehtësues ndaj policëve të dyshuar pavarësisht se sipas dëshmitarëve të dy ata hynë mes flakëve për të nxjerrë të dyshuarit e madje njëri prej tyre u plagos.
Dy policët veç kësaj sipas prokurorisë kanë ndikuar që të shkelet edhe një ligj i 2006 për përdorimin e duhanit.
Si argument Prokuroria shton gjetjen e bishtave të shumtë të cigares që nuk duhet pirë në ambiente zyrash.
Nga ana tjetër prokuroria sjell edhe dëshminë e një të arrestuari tjetër të quajtur Dilaver Idrizi edhe ai i dëmtuar gjatë zjarrit që përfshiu komisariatin.
Ai thotë se e pa viktimën Arben mici që po pinte pa pushim cigare.
“Nuk di kush ja ndizte cigaren, por në një moment ai erdhi me cigare në dhomën time. I thashë që nuk e duroja dot tymin dhe iku, më pas dëgjova ulërima, tym dhe flakë që u përhapën”, dëshmon për Prokurorinë i arrestuari.
Për tre të tjerë Prokuroria e pushoi hetimin pasi akuza ishte e paprovuar.
Top Channel