Konferenca e Sigurisë në Mynih ngre siparin sot me një mesazh video të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, si dhe me fjalimet e kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, të cilët duket po kërkojnë ta shfaqin në vazhdimësi të bashkuar aksin franko-gjerman.
Shqetësimet kyçe në fushën e mbrojtjes do të përbëjnë boshtin e këtij organizimi vjetor të nivelit të lartë, që mbahet në Bavari, jug të Gjermanisë. Mynihu pret këtë radhë përfaqësues të 96 shteteve të ndryshme, por për të parën herë në dy dekada, Rusia nuk është ftuar në konferencë.
Christoph Heusgen, ish-këshilltari i ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, i cili drejton eventin, e bëri të qartë se kishte zgjedhur të mos e dërgonte ftesën për delegacion rus pasi nuk dëshiron, siç tha, t’i japë një platformë Vladimir Putinit për propagandën e tij.
Ndryshe nga e kaluara, ftesat kanë munguar këtë radhë edhe për liderët e republikës Islamike të Iranit por edhe për vetë përfaqësuesit e partisë gjermane të ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë.
Në mesin e atyre që do t’i drejtohen të pranishmëve janë edhe zv.presidentja e SHBA-së, Kamala Harris dhe zyrtari i lartë kinez për politikë të jashtme, Wang Yi, dhe kjo në kohën kur tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë rritur së fundi, pasi autoritetet amerikane rrëzuan një balonë kineze që fluturoi në hapësirën ajrore të SHBA-së.
Në këtë konferencë të rëndësishme do të marrin pjesë edhe liderët e Kosovës. Sipas listës së publikuar, atje do të qëndrojnë Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Top Channel