Në këtë ditë zie kombëtare për viktimat e tërmetit në kufirin turko-sirian dhe në shenjë solidariteti me Turqinë, institucionet në Durrës kanë ulur në gjysmë shtizë flamurin kombëtar, ndërsa nxënës të shkollave të qytetit kanë ndezur një qiri në kujtim të jetëve të humbura.

Nxënësit e gjimnazit “Leonik Tomeo” në Durrës kanë qenë të parët që i janë bashkuar kësaj dite zie dhe solidariteti duke ndezur një qiri në shkallët e shkollës së tyre në shenjë dhembjeje dhe lutjeje për jetët e humbura.

Bashkia e Durrësit ndërkohë ka ftuar të gjithë qytetarët që mbrëmjen e sotme, në orën 18.00, të bashkohen në qendër të qytetit për të ndezur një qiri dhe përcjellë mesazhe dhembjeje dhe solidariteti me familjet që po përjetojnë këtë fatkeqësi në këto ditë të ftohta dimri, si dhe për t’u treguar të gjithë solidar me Turqinë e cila ishte nga të para që ndihmoi kur fatkeqësia natyrore goditi Durrësin në nëntor 2019.

Top Channel