Shpërthimi me tritol në Sarandë, fqinjët tregojnë dëmet në shtëpitë e tyre: Xhama e orendi të shkatërruara

13/02/2023 10:41

Dëme të mëdha materiale kanë pësuar shtëpitë përreth hotelit “Bizant”, që u prish sot pas shpërthimit të një lënde eksplozivi.

Banorët shprehen se në banesat përgjatë vijës bregdetare në Sarandë, pranë hotelit, ka xhama e orendi të thyera, ndërsa rrëfejnë se shpërthimi ka qenë aq i fuqishëm sa shtëpitë kanë tronditur.

“U hodha nga krevati, mendova se ishte tërmet, dal në ballkon dhe shoh xhama të thyer. Zbritëm poshtë, ballkoni dhe shkallët e shtëpisë u mbushën me tym, nuk shikoje asgjë. Ndjemë një tronditje, ishte një tmerr. Mirë që ishte herët dhe nuk kishte njerëz jashtë se do të kishte të lënduar.

Shkova në shtëpinë e një komshiu që jeton në Francë. Çdo gjë ishte e thyer, xhama, korniza. Gjithë ana e detit është e dëmtuar”, thotë një banore për Top Channel.

Top Channel