Hidhet në erë hoteli/ Konfliktet e pronësisë mes pronarëve, 10 të shoqëruar në polici

13/02/2023 15:04

Saranda u trondit mëngjesin e sotëm nga një shpërthim masiv tritoli i vendosur në hyrjen e hotel Bizant në krye të shëtitores së qytetit.

Shpërthimi ka shembur tërësisht objektin 2 katësh ndërsa ka shkaktuar dëme në më shumë se 40 biznese në një rreze prej 400m përreth objektit. Dëme kanë pësuar edhe dhjetëra apartamente banimi në të gjithë lagjen 1 të qytetit.

Objekti që funksionon si biznes që prej vitit 2011 i regjistruar në emër të Miranda Çabirit, vajza e njërit prej pronarëve, ka pasur një seri të gjatë problemesh pronësie mes tre bashkëpronarëve të tij Spiro Çabiri, Dhimitër Evangjeliu që është njëkohësisht edhe shtetas grek dhe Vangjel Shutka i ndarë nga jeta së fundi. Godina është pronësuar me ligjin e privatizimit në 1991 dhe është ndërtuar në vitin 1996. Në 2002, fillojnë konfliktet e pronësisë mbi truallin e ndërtimin dhe vlerën e biznesit.

Gjykata i ka njohur shtetasit Evangjeliu 90% të pronësisë dhe ka lënë në favor të dy të tjerëve 10 % e mbetur. Objekti është vlerësuar me vlerën monetare 920 mijë Euro dhe Evangjeliu detyrohej t’i paguante me një këst dy aksionerëve të tjerë nga 46 mijë euro për 10% të pronësisë, por çështja është kundërshtuar sërish në gjykatë nga Çabiri dhe kalvari i gjyqeve dhe konflikteve vijon prej 21 vitesh.

Rreth mesditës, forcat xheniere nga Tirana kanë mbërritur në vendngjarje për të kryer ekspertizën e lëndës shpërthyese dhe sasisë së përdorur që së sipas vlerësimit paraprak mendohet të jetë disa kg.

Zakonisht në godinë kalonte natën një grua e punësuar si personel shërbimi e cila mësohet prej komshinjve se është larguar vetëm mbrëmjen e djeshme.

Policia ka shoqëruar rreth 10 persona për t’u pyetur rreth ngjarjes mes të cilëve edhe djalin e Spiro Çabirit si dhe ka sekuestruar mjetin e tij privat. Mendohet se ka qenë Çabiri ai që ka larguar nga objekti gruan e punësuar mbrëmjen e djeshme kështu që pista kryesore e hetimit është përqëndruar rreth konfliktit të pronësisë.

Prej ekstraktit historik të biznesit duket se ai ka funksionuar me një pronar të vetëm dhe me pezullime të vazhdueshme të aktivitetit por nuk është e qartë ende se si realizohej ndarja e të ardhurave për aq kohë sa palët nuk janë dakordësuar mbi përqindjen e aksioneve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA