Izraeli është ndër vendet që ka dërguar më shumë forca në Turqi për të kërkuar të mbijetuar nën rrënoja me teknologjinë që përdor në aksionet më të sofistikuara ushtarake për lokalizimin dhe gjetjen e tyre.
Ekipet izraelite të kërkim – shpëtimit kanë nxjerrë me dhjetëra fëmijë të gjallë nga gërmadhat e shtëpive të tyre duke mos e ndalur punën as në ditën e tyre tradicionale të pushimit, të shtunën. Kjo video tregon çastet kur ata luten gjatë shabatit në kampin e tyre në Turqi.
Por një rabin kontrovers izraelit po shkakton debate me deklaratat e tij se tërmetet ishin drejtësia hyjnore. Shmuel Eliyahu, i cili shërben si kryerabin i Safed në veri të Izraelit pretendon se zoti po ndëshkon këto vende për shkak të keqtrajtimit të hebrenjve.
“Zoti po i gjykon të gjitha vendet rreth nesh që duan të na pushtojnë tokën tonë dhe të na hedhin në det” shkruan Eliyahu në një editorial të botuar në gazetën Olam Katan . Rabini që gabon faktet historike edhe në këtë rast, njihet për deklaratat ekstremiste për të cilat është akuzuar edhe për nxitje racizmi.
Top Channel