Tre personat që kërcënuan grupin e xhirimit të Top Channel në Nkël të Krujës janë shpallur në kërkim. Ata qëlluan me armë gjahu gazetaren dhe operatorin që po raportonin gërryerjen e paligjshme në shtratin e lumit.
Drejtoria Vendore e Policisë Vendore Durrës njofton se janë në kërkim shtetasit E. K. (drejtuesi i ekskavatorit), G. K., 30 vjeç dhe H. V., 30 vjeç. Të vendosur në pika të ndryshme në zonë, ata kanë qëluar fillimisht drejt dronit që po filmonte dhe më pas drejt grupit të xhirimit.
Nën hetim për veprat penale “Shpërdorimi i tokës” dhe “Kanosja për shkak të detyrës” janë vënë dy drejtuesit e kamionëve, shtetasit me iniciale A.L. dhe E.Gj.
Procedimi penal ka nisur edhe ndaj dy punonjësve të IKM-së, me akuzën e shpërdorimit të detyrës. E. B. dhe F. Sh. kanë qenë përgjegjës për monitorimin e zonës, detyrë që qartazi nuk e kanë bërë.
Dhuna fizike dhe verbale ndaj grupit të xhirimit është dënuar nga institucionet më të larta në vend.
Nëpërmjet një reagimi të postuar në rrjetet sociale, presidenti Bajram Begaj u kërkon organeve ligjzbatuese të ndjekin me përgjegjshmëri të lartë këtë rast të dhunimit të fjalës së lirë, sikurse e cilëson kreu i shtetit.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, është shprehur se nuk tolerohen në asnjë mënyrë ngjarjet shumë të rënda kriminale të dhunimit, kërcënimit e goditjes me armë zjarri, si dhe të pengmarrjes të gazetarëve kurajozë të emisionit investigativ “Fiks Fare” në Krujë.
Sulmin e ka dënuar Autoriteti i Mediave Audiovizive:
“AMA dënon ashpër ushtrimin e dhunës verbale dhe fizike që shkoi deri dhe përdorimin e armës së zjarrit për frikësimin e reporteres dhe kameramanit, si akte të papranueshme dhe goditëse për lirinë e fjalës.
Aq më tepër që ngjarja ndodhi në një pronë publike, buzë lumit, ku një grup personash kryenin aktivitet të paligjshëm me pretendimin se ishin në “pronën” e tyre. AMA pret me padurim hetimin e detajizuar të këtij rasti të rëndë, duke nxitur autoritetet ligjzbatuese që të zbardhin plotësisht dhe sa më parë rrethanat e ngjarjes, si dhe personat përgjegjës të dalin para drejtësisë”.
Si ndodhi ngjarja në Nikël të Krujës:
Pasi është faktuar gërryerja e paligjshme e lumit dhe marrja e materialeve inerte, gazetarët si fillim janë përballur me persona me armë të cilët qëllonin drejt dronit. Pamje të tre personave të armatosur u transmetuan në emisionin investigativ Fiks Fare. Ata duke drejtuar armët qëndronin vetëm pak metra larg grupit të xhirimit,të pozicionuar në një vend që mezi dalloheshin.
Por jo vetëm aq, ndërkohë që gazetarët xhironin kamionët me inerte që dilnin nga lumi dhe prisnin ardhjen e policisë pas telefonatës që kishin bërë me Shefin e Komisariatit të Policisë Krujë, drejtë gazetarëve shkuan dy personat e parë të cilët urdhëruan gazetarët të ikin nga aty, sepse lumi është i tyre. Është në pronë të tyre.
Pas tyre drejt gazetarëve vjen një person i maskuar, i cili tenton të marrë kamerën me xhirimet e bëra. Godet pjesëtar të grupit të xhirimit dhe i kërcënon ata me jetë. Kjo skenë ka zgjatur më shumë se 30 minuta, derisa në fund gazetarët arrijnë të largohen nga vendngjarja.
Dhe vetëm pasi janë larguar nga zona, kanë hasur patrullën e policisë, e cila është takuar me grupin e xhirimit 50 minuta nga telefonata, shumë larg vendit të ngjarjes.
Top Channel