Xhaçka: Nuk ka informacion për shqiptarë në zonat e tërmetit në Turqi

08/02/2023 14:01

Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka tha se deri më tani nuk ka informacion se ka shqiptarë në zonat e tërmetit në Turqi.

“Së pari, më lejoni të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë fatkeqësi me bilanca tragjik, si për popullin turk dhe atë sirian. Që në orët e para, sic jeni në dijeni, Shqipëria është solidarizuar jo vetëm me qëndrime por me veprime konkrete me popullin turk dhe qeverinë turke për të ndihmuar në operacionet e kërkim shpëtimit të shtrira në 10 provinca. Në momentin që po flasim janë 80 efektivë të FA, të kërkim shpëtimit, mjekë dhe ekspertë të tjera të kërkim shpëtimit të cilët janë angazhuar në zona përmes koordinimit me autoritetet turke. Marr shkas për të falenderuare edhe stafin e diplomatëve tanë në ambasadën shqiptare në Ankara dhe konsullatën në Stamboll për përkushtimin në këto ditë të vështira, si në pritjen dhe koordimin e skuadrës shqiptare apo dhe për komunikimin me ato familje të cilat nuk kanë patur kontakte me të afërmit e tyre në Turqi.

Deri më tani nuk rezultojnë qytetarë me nënshtetësi shqiptare në rradhët e viktimave dhe as raportime për të zhdukur. MEPJ si dhe ambasada dhe konsullata jonë në Stamboll kanë pubikuar nr telefoni dhe adresa email për të gjithë ata që kanë humbur kontaktet me familjarët e tyre në Turqi gjatë këtyre 72 orëve. Deri në momentin që po flasin janë rreth 10 raste të familjeve këtu në Shqipëri të cilët kishin humbur lidhjet me të afërmit e tyre në Turqi e që falë koordinimit të ambasadës dhe konsullatës tonë në Turqi me autoritetet turke kanë mundur të rilidhen e të mësojnë se ata gëzojnë shëndet të mirë e po asistohen për nevojat që mund të kenë“, tha ministrja.

Turqia po përballet me një prej katastrofave më të mëdha natyrore të ndodhura ndonjëherë.  Mbi 11 mijë persona është bilanci i viktimave në Turqi dhe Siri, pas tërmeteve të fuqishme të 6 shkurtit.

Numri i viktimave pritet të rritet, teksa ekipet e shpëtimit janë në garë me kohën për të gjetur të mbijetuar të tjerë nën rrënoja. Tërmeti i parë i 6 shkurtit ishte 7.8 ballësh me epiqendër rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep. Po ashtu, gjatë po asaj dite, u regjistrua një tërmet tjetër i fuqishëm prej 7.5 shkallësh të Rihterit. Por, përpjekjet e shpëtimit janë penguar nga temperaturat e ulëta dhe qindra pasgoditje, të cilat e kanë bërë veçanërisht të rrezikshme punën në strukturat e paqëndrueshme. Në qytetin sirian të Xhindajrisit, një foshnje e sapolindur u nxor nga rrënojat.

Disa prej dëmeve më të mëdha janë regjistruar në provincën turke të Gaziantepit, ku qindra ndërtesa janë shembur dhe janë bllokuar rrugët, duke penguar përpjekjet e shpëtimit. Personat që i kanë mbijetuar tërmetit, shumica prej të cilëve nuk kanë këpucë e as rroba të ngrohta, po përballen me mbijetesë në temperatura të ulëta.

Në Siri, operacionet e shpëtimit janë ndërlikuar për shkak se sistemi i kujdesit shëndetësor dhe infrastruktura është shkatërruar nga lufta civile që po zgjat prej 12 vitesh. Dhjetëra shtete në mbarë botën kanë ofruar ndihmë emergjente humanitare, përfshirë dërgimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit dhe furnizime të tjera të ndihmës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA