Një vajzë e porsalindur është shpëtuar nga ekipet e shpëtimit nga rrënojat e një ndërtese në veriperëndim të Sirisë, e cila u shkatërrua nga një tërmet të hënën.
Nëna e saj filloi lindjen menjëherë pas fatkeqësisë dhe e solli në jetë para se të vdiste, tha një i afërm. Babai i saj, katër vëllezërit e motrat dhe një hallë ndërruan jetë gjithashtu.
Pamjet dramatike treguan një burrë që mbante foshnjën, të mbuluar me pluhur, pasi ajo u tërhoq nga mbeturinat në Jidayris.
Një mjek në një spital në Afrin aty pranë tha se ajo tani ishte në një gjendje të qëndrueshme.
Ndërtesa në të cilën jetonte familja e saj ishte një prej 50 ndërtesave që u shkatërruan nga një tërmet 7.8 ballë në Jidayris, një qytet i kontrolluar nga opozita në provincën Idlib, afër kufirit turk.
Xhaxhai i foshnjës, Khalil al-Suëadi, tha se të afërmit kishin nxituar në vendngjarje kur mësuan për shembjen.
“Ne dëgjuam një zë ndërsa po gërmonim”, i tha ai agjencisë së lajmeve AFP të martën.
“Ne e pastruam pluhurin dhe e gjetëm foshnjën me kordonin e kërthizës, premë dhe kushëriri im e çoi në spital”.
Pediatri Hani Maarouf tha se foshnja kishte mbërritur në spitalin e tij në një gjendje të keqe, me “disa mavijosje dhe plagë në të gjithë trupin e saj”.
“Ajo gjithashtu mbërriti me hipotermi për shkak të të ftohtit. Ne duhej ta ngrohnim dhe t’i jepnim kalcium”, shtoi ai.
Ajo u fotografua e shtrirë në një inkubator dhe e lidhur me një fasho, teksa u mbajt një funeral i përbashkët për nënën e saj Afraa, babanë Abdullah dhe katër vëllezërit e motrat e saj.
Top Channel