Gjykata federale kundër Trump/ CNN, MS NOW dhe Politico rifitojnë përkohësisht aksesin në Shtëpinë e Bardhë

14/10/2026 09:12

Një gjykatë federale në SHBA ka vendosur që administrata amerikane të lejojë sërish aksesin e gazetarëve të CNN, MS NOW dhe Politico në ambientet e Shtëpisë së Bardhë, ndërsa vijon shqyrtimi i padisë së ngritur nga tre organizatat mediatike kundër administratës së Donald Trump.

Vendimi përbën një fitore të përkohshme për mediat, të cilat pretendojnë se u përjashtuan në shenjë hakmarrjeje për raportimet e tyre dhe për shkak të qëndrimeve kritike ndaj presidentit amerikan.

Gjykatësi federal Timothy Kelly, i emëruar nga Trump, kishte nxjerrë më 24 shtator një urdhër të përkohshëm që detyronte Shtëpinë e Bardhë të rikthente kredencialet e gazetarëve të tre mediave për 14 ditë. Javën e kaluar, ai e zgjati afatin deri më 13 tetor, ndërsa urdhri i ri e ruan aksesin deri në zgjidhjen e çështjes gjyqësore.

Megjithatë, vendimi nuk u garanton gazetarëve hyrjen në të gjitha ambientet e ndjeshme, si Zyra Ovale apo avioni presidencial Air Force One. Shtëpia e Bardhë vijon t’u ndalojë gazetarëve të CNN dhe Politico pjesëmarrjen në trupat e shtypit që udhëtojnë me presidentin në avionin presidencial.

Në padinë e tyre, CNN, MS NOW dhe Politico argumentojnë se administrata ka shkelur të drejtat e tyre kushtetuese, duke i përjashtuar pa një proces të rregullt ligjor dhe për shkak të raportimeve të tyre. Sipas mediave, kjo bie ndesh me Amendamentin e Parë, që mbron lirinë e shprehjes dhe të shtypit, si dhe me Amendamentin e Pestë.

Vendimet e përkohshme të gjykatës tregojnë se gjyqtari i konsideron të mbështetura pretendimet e paditësve lidhur me Amendamentin e Pestë. Ndërsa çështja për shkeljen e Amendamentit të Parë do të kërkojë shqyrtim të mëtejshëm dhe mund të përfundojë në një proces gjyqësor.

Në argumentet e tyre, avokatët e mediave i janë referuar edhe një precedenti të vitit 1977, çështjes Sherrill kundër Knight, që lidhet me kufizimet ndaj kredencialeve të gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. Ata kanë cituar gjithashtu deklarata të Trump, i cili i ka akuzuar disa media se publikojnë qëllimisht lajme negative për të dëmtuar republikanët dhe administratën e tij.

Ndërkohë, korpusi më i gjerë i shtypit të Shtëpisë së Bardhë ka shprehur solidaritet me mediat e përjashtuara. Sipas raportimeve, disa organizata kanë refuzuar kërkesën e Shtëpisë së Bardhë për të zënë vendet e CNN dhe Politico, ndërsa të tjera kanë njoftuar se do të vazhdojnë të mos publikojnë apo shpërndajnë fotografi të realizuara gjatë mbulimit zyrtar të aktiviteteve presidenciale, derisa gjykata të shqyrtojë pretendimet ligjore të mediave.

Një padi e veçantë e ngritur nga Associated Press kundër Shtëpisë së Bardhë, e cila është ende në shqyrtim, mund të ndihmojë në përcaktimin e kufijve të autoritetit të presidentit për të kufizuar aksesin e gazetarëve në ambiente të tilla.

Top Channel