Fermerët janë gjithnjë në kërkim të tregut, ose të një çmim të drejtë, ku shpesh ata që abuzojnë janë tregtarët e mëdhenj të cilët prodhimet bujqësore i blejnë shumë lirë të bujku dhe i shesin tepër shtrenjtë për konsumatorin.

E njëjta histori po përsëritet edhe për fermerët që kultivojnë presh në Qerret të Vjetër të Lushnjës. Ata thonë që këtë vit një kilogram presh po shitet afërsisht 20 lekë më tepër, por ky çmim është i pajustifikueshëm përballë kostove të prodhimit.

Presh për eksport ka, shitet me 350 lekë kilogrami. Unë skam asnjë të ardhur tjetër. Ne tek toka i kemi sytë, toka s’na nxjerr gjë”– shprehet një fermere.

“Sot shita me 250 lekë të vjetra kilogrami kaq e marrin tregtarët nga Tirana, jugu dhe veriu. Mbjellja me plugim dhe frezim më ka kushtuar 4 mln lekë, unë do të marr 6 milion dhe 2 milion janë të miat ne jemi burrë e grua dhe punojmë këtu që nga tetori e deri në mars. Me kaq para mbaj familjen”- shprehet një fermer.

Rritja e çmimit të preshit nuk ka shtuar fitimin për fermerët, përballë kostove të prodhimit duke filluar që çmimet e larta të plehrave kimike e deri tek mungesa e kanaleve vaditëse, ku fermerët janë detyruar që vaditjen ta bëjnë me pompat e uji të cilat punojnë me benzinë.

“Kam mbjellë 3 dynym kam shitur deri më tani 800 metra. Në treg nuk ecën fare. pardje isha në treg dhe më thanë 300 lekë, ndërkohë që plehrat kanë vajtur mbi 130 mijë lekë kuintali. Shikoje tokën tjetër aty janë 7 dynym e gjysmë dhe nuk arrij dot që ta mbjell. Nuk ka fare kërkesë, pasi sipërfaqe këtë vit është mbjellë më pak.”- shprehet një tjetër fermer.

Pjesa më e madhe e prodhimit të preshit shkon në tregun vendas, i cili këtë vit ka ulur kërkesat për shkak dhe të numrit të lartë të shqiptarëve që kanë emigruar drejt vendeve të BE. Ulja e konsumit vë në rrezik jo vetëm prodhimin  e preshit, por edhe të produkteve të tjera bujqësore.

Top Channel