Dy ligjvënës amerikanë, Jim Jordan dhe Matt Gaetz i dërguan FBI-së një listë me dokumentet që i nevojiten për hetimin e Kongresit lidhur me ish zyrtarin e lartë të këtij organizimi, Charles McGonigal.
Ish shefi i kundërzbulimit të zyrës së Byrosë Federale të Hetimit në Nju Jork u arrestua në janar e u akuzua se ka marrë para nga miliarderi rus, Oleg Deripaska për të hetuar një oligark rival të tij në 2021-shin.
Akuza tjetër ndaj McGonigal është se ka tentuar të heqë një tjetër miliarder rus nga lista e sanksioneve të SHBA-së në 2019-tën. Në letrën e drejtuar kreut të FBI-së, Christopher Wray, Jordani dhe Maetz shpjegojnë se u nevojiten material të lidhura me shkeljet e McGonigal ndërsa komiteti vazhdon “të hetojë akuzat për politizim dhe njëanshmëri” brenda byrosë.
“Vetëm javën e kaluar, me padinë ndaj ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal, popullit amerikan iu kujtuan sërish problemet, me sa duket të përhapura në radhët e këtij organizmi”, thuhej në paragrafin e parë të letrës.
Në mënyrë që Komisioni të kryejë verifikimet e tij, pretendon të gjitha të dhënat e personelit që kanë të bëjnë me historikun e punës së McGonigal, dokumentet dhe komunikimet e lidhura me hetimet që përfshijnë këtë individ dhe çdo dokument dhe komunikim në lidhje me veprimet e ndërmarra nga byroja “për të zbutur rreziqet e sigurisë kombëtare të paraqitura nga veprimet e Charles McGonigal”.
Si agjent special i ngarkuar (SAC Special Agent in Charge) për Zyrën e Nju Jorkut, McGonigal mbikëqyri shumë hetime të ndjeshme kundërzbulimi, duke përfshirë hetime që përfshinin individë që ai tani është akuzuar se ka punuar për të përfituar”, nenvizohet në letër.
Paneli që drejton hetimin do ta mbajë seancën e parë dëgjimore në 9 shkurt.
Top Channel