Fiks Fare/ Çifti i të moshuarve zihet me njëri-tjetrin dhe përfundojnë në spital, firma i mashtroi për apartamentet

03/02/2023 20:45

Në tetor të vitit 2022, një çift të moshaurish janë konfliktuar me njëri tjetrin.

Të dy, burrë e grua, përfunduan në spital. Në atë kohë, ngjarja u pasqyrua në media, por edhe në rrjete sociale, teksa u aludua se mes çiftit kishte probleme pronësie. Pas kësaj ngjarje, e zonja e shtëpisë, Nasije Stafa iu drejtua emisionit Fiks Fare. Ajo thotë se problemet e pronësisë nuk i kanë me njëri – tjetrin, por me një firmë ndërtimi. Zonja tregon se kanë pasur një shtëpi banimi në Durrës. “E kemi pasur me dokumente. Kemi marrë leje ndërtimi para viteve 90′ për rikonstruksion dhe shtesë kati” thotë denoncuesja.

Më tej pohon se në atë banesë kanë jetuar deri në vitin 1999. “Në këtë vit banesën dhe truallin ia dhamë një firme private ‘Zds’ për të bërë pallat. Kemi bërë një akt noterial, ku në këmbim të pronës do të merrnim 2 apartamente në katin e katërt, njëri 2 + 1 dhe tjetri 1 + 1” thotë zonja. Por, megjithesë pallati është ndërtuar, ende çifti i të moshuareve nuk i ka marrë këto apartamente. Kjo ka sjellë që mes çiftit të fillojnë konfliktet e para, konflikte të cilat kanë agravuar në tetor të vitit të kaluar.

“Unë kam probleme onkologjike, shkoj një herë në dy muaj në spital. Burri im ka rënë shumë nga këto probleme, është sëmurë. Firma po vijon të shesë apartamentet dhe dyqane. Në tetor 2022 erdhi njëri që kishte blerë dyqanin. I thamë se s’ka letra, po ai kishte deklaratë me firmën. Lajmëruam policinë. Erdhi policia dhe kur shkova sipër në banesë u zura me burrin. Ai ka probleme dhe më qëlloi me paterica. Unë kisha një shishe qelqi me raki dhe ai ra sipër asaj shishe. U bëmë gazi botës, shkuam në spital. Ne jemi familje e nderuar, ata të firmës na bënë në këtë gjendje” thotë denoncuesja.

Ajo thotë, se problemet janë me pronarët e firmës së ndërtimit, të cilët, në vend që t’u jepnin apartamentet këtij çifti, po tentojnë që të shesin pa letra dyqane dhe hyrje të tjera. E moshuara tregon se, në truallin e pallatit, ka pasur një shtëpi, të cilën e ka ndërtuar para viteve ’90. Familja ka jetuar për vite me radhe në këtë banesë, deri sa në vitin 1999, truallin dhe banesën ia kanë dhënë për pallat një firme ndërtimi.

Në vitin 1999, familja Stafa është larguar nga banesa private, teksa në atë truall filloi të ndërtohej pallati. Në kontrate ishte përcaktuar mjaft qartë se apartamentet ishin në katin e katërt. Por, ata u sorollatën. Njëherë në katin e pestë dhe më pas në katin e shtatë. Madje, në katin e shtatë, ata investuan të gjitha kursimet. Pas shumë sorollatjeve, çifti i të moshuarëve jeton në një apartament të vogël në katin e pestë. As në të katërtin, siç shkruhej në kontratë.

Por, as edhe në të shtatin, ku edhe investuan! Fiksi tentoi që të kontaktonte me firmën ndërtuese “ZDS”, por asnjë nga adresat që ndodhej në QKB nuk ishte e saktë. Gazetarët shkuan më pas në një zyrë noterie, ku janë bërë kontratat e apartamenteve. Ajo pranoi se banorët e atij pallati kanë probleme me pronësinë. Ndërkohë, një tjetër banor tregon se apartamentet janë shitur nga dy herë. Gazetarët e Fiks Fare bisedojnë edhe me blerësin e dyqaneve të katit të parë, i cili pranon se kontratën e ka bërë me firmën.

Të gjithë pranuan se familja Stafa, e cila ka pasur truallin ku u ndërtua ky pallat, por sot gëzon vetëm një apartament të vogël. Pronarët e firmës që ka ndërtuar këtë pallat kanë vijuar shitjet, pavarësisht se nuk kanë zbatuar kontratat me këtë familje. Të gjitha këto veprime kanë sjellë probleme të mëdha shëndetësore të të moshuarit, probleme të cilat u agravuan në tetor të vitit të kaluar.

FOTO GALERI
4/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA