Kryetari i dhomës së avokatisë kundër kryetares së KLGJ: Thatë një të pavërtetë! Distanca fizike disavantazh drastik i shkrirjes së gjykatave

01/02/2023 22:54

Kryetari i Dhomës së Avokatisë Shkodër Anton Kosteri, ka kundërshtuar kryetaren e KLGJ-së mbrëmjen e sotme në “Top Story” të cilën e akuzoi se thotë të pavërteta në lidhje me shkrirjen e gjykatave. 

Ai i mëshoi shumë idesë se shkrirja e gjykatave është në disfavorin e qytetarëve  pasi distanca fizike ul në mënyrë drastike mundësinë për të shkuar në gjykatë e për të marrë shërbimin gjyqësor.

“Kryetarja e di shumë mirë që janë tre shtyllat kryesore mbi të cilat duhet të bazohet ndarja e gjykatave. Nji është mundësia e njerëzve për të ardhur tek Gjykata për të zhvilluar seancën gjyqësore jo për të marrë vendimin apo për të bërë ankimin se bëhet edhe me postë. E dyta është efiçenca dhe e treta është aspekti ekonomik. Kjo bazuar në të gjithë atë që bazohet KLGJ në raportet e Sepezhit. KLGJ-ja dhe Ministria e Drejtësisë thonë që ne prezantojmë këtë hartë se rrit aksesin në gjykatë, kjo nuk është e vertetë edhe një fëmijë e kupton. Distanca fizike ul në mënyrë drastike mundësinë për të shkuar në gjykatë e për të marrë shërbimin gjyqësor.”- tha Kryetari i dhomës së avokatisë Shkodër.

Nga kjo e mërkurë nisi funksionimi i hartës së re gjyqësore. Mes kundërshtive të forta, protestave dhe bojkotove nga avokatët, Gjykata e Apelit ishte e para që aplikoi nga data 1 shkurt ndryshimet në mënyrën e funksionimit të saj në të gjithë territorin e Shqipërisë. Nga 6 gjykata apeli që kanë funksionuar derimë sot, sipas hartës së re gjyqësore do të ketë vetëm një Gjykatë të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm e cila do të jetë me seli në Tiranë. Çdo qytetar në Republikën e Shqipërisë që kundërshton një vendim të dhënë në shkallën e parë të gjykatave do të duhet të apeloj këtë vendim në këtë gjykatë në Tiranë. Referuar organikës së miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, kjo gjykatë do të ketë në total 78 gjyqtarë, që përkon me numrin total të tyre në 6 gjykatat e apelit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA