Maqedonia e Veriut do të bëjë gjithçka që përvjetorin e lindjes së Goce Dellçevit, më 4 shkurt, në Shkup të kalojë në mënyrë të dinjitoze dhe pa incidente, ka deklaruar të hënën kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Ai këto deklarata i bëri teksa komentoi tensionet mes dy vendeve pas incidentit në Ohër, më 16 janar, ku u sulmua fizikisht një pjesëtar i një klubi kulturor bullgar që mban emrin “Car Borisi i Tretë”.
Pas këtij incidenti që çoi edhe në tërheqjen e ambasadorit bullgar nga Shkup, disa grupe bullgare të udhëhequra nga euro-deputeti, Angel Xhambaski, kanë paralajmëruar vizitë në Shkup, më 4 shkurt, që nga presidenti maqedonas, Stevo Pandarovski, është parë si një ngjarje me “rrezik të lartë”.
Në Shkup, të hënën, ka qëndruar ministri i Punëve të Brendshme i Bullgarisë, Ivan Demerxhiev, dhe në fokus të takimit me homologun e tij maqedonas, Oliver Spasovski, ka qenë pikërisht 4 shkurti dhe masat që kanë ndërmarrë dy ministrit për evitimin e incidenteve të mundshme.
Goce Dellçev është një personalitet që ka vepruar në periudhën e para Luftës së Dytë Botërore dhe si Shkupi ashtu edhe Sofja pretendojnë identitetit e tij kombëtar.
“Ne si shtet do të bëjmë gjithçka që 4 shkurti të festohet në mënyrë dinjitoze dhe pa provokime…Provokimet janë nxitur nga individë dhe grupe që janë kundër rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut, por edhe kundër integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian. Ato provokime vijnë nga qendra të caktuara brenda shtetit, në shtetin fqinj [Bullgari] si dhe nga palë të treta të cilat historikisht punojnë që ky rajon të mos jetë pjesë e BE-së dhe e NATO-s”, deklaroi kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski.
Ai theksoi se kjo i është bërë e ditur edhe kryeministrit bullgar, Kiril Petkov, gjatë një bisede telefonike, sikur që i është bërë e ditur edhe ministrit të Brendshëm bullgar, Ivan Demerxhiev nga homologu maqedonas, Oliver Spasovski.
Kovaçevski tha se Maqedonia e Veriut është e përkushtuar për marrëdhënie të mira me Bullgarinë, në frymën e vlerave evropiane si dhe për respektimin e të gjitha bashkësive etnike, të cilat e ndjejnë këtë shtet si të vetin, sipas tij.
Por, ai tensionet i ndërlidhi edhe me klimën politike në Bullgari, e cila është në fushatë zgjedhore dhe se këto tensione, sipas Kovaçevskit, dikush tenton t’i përdorë për qëllime politike.
Ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtme i Bullgarisë, Nikolai Milkov, deklaroi në Sofja se pala bullgare është e gatshme për shtensionimin e marrëdhënieve me Shkupin, por në kushte të caktuara.
Sipas tij, kushti më i rëndësishëm është përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, ndërkohë drejtoi kritika ndaj autoriteteve maqedonase, për siç tha, “propagandë serioze antibullgare”.
“Ne jemi të gatshëm për shtensionimin e marrëdhënieve në kushte të caktuara. Nuk jemi të kënaqur me rikthimin në gjendjen e dhjetë ditëve më parë. Konkretisht ne kërkojmë mbrojtjen e të drejtave të bullgarëve atje”, tha Milkov për televizionin shtetëror bullgar (BTV).
Ndërkohë, kryeministri maqedonas Kovaçevski, tha se beson në ndryshimin e Kushtetutës që duhet të bëhet për përfshirjen e pakicës bullgare në të. Ai me këtë rast drejtoi akuza ndaj opozitës, e cila e kundërshton këtë me arsyetimin e kjo “nuk do ‘i jepte fund kërkesave bullgare”.
“Duhet të sillen vendime të mençura. Po, është e vështirë të sillen vendime të arsyeshme në kohën kur kemi provokime të paarsyeshme. Sjellja e disave po bën pikërisht atë që të kemi provokime. Nëse biem pre e provokimeve të tilla, ne atëherë do të humbim pasi do të lejojmë që të fitojnë përfituesit, populistët, njerëzit pa vlera, ata pa moral dhe etikë. Do t’i lëmë hapësirë veprimi armiqve të maqedonasve”, deklaroi Kovaçevski.
Tensionet mes dy shteteve janë acaruar në tre muajt e fundit pas hapjes së klubeve bullgare në Manastir dhe Ohër, që u kundërshtuan nga pala maqedonase pasi mbajnë emrat “Car Borisi i Tretë” dhe “Vanço Mihajlov”, personalitete bullgare që kanë luftuar për bashkimin e territoreve të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.
Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, vitin e kaluar hoqi veton ndaj Shkupit për t’i hapur rrugë bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por, bisedimet mund të bllokohen nëse Maqedonia e Veriut nuk bën ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën saj, ashtu siç parashihet me marrëveshjen ndërmjet dy vendeve, bazuar mbi atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe historinë maqedonase./Rel
Top Channel