Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së martës kaosin me pronat në qytetin e Laçit, ku vendimmarrjet shtetërore kanë futur në konflikt disa familje. Madje, me vendime që rrëzojnë njëra tjetrën, këto familje pretendojnë të njëjtën pronë!

Në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” u ankua Siriusa Pepa, e cila iu drejtua Fiksit për një problematikë pronë në Laç, Kurbin. “Historia fillon që në vitin 1993 ku është lëshuar një leje ndërtimi nga Këshilli i Rrethit Kurbin në atë kohë.

Në emër të Gjokë Hasit, daja i bashkëshortit tim. Është një pronë familjare e cila nuk po gjen zgjidhje për ta certifikuar ashtu siç edhe ne duam konform ligjeve. Leja ishte një leje ndërtimi me objekt farmaci, edhe sot pas shumë vitesh funksionon si farmaci. Leja është dhënë me 784 metra truall, ishte për dy kate. U ndërtua me 1 kat. Në momentin e dhënies së kësaj leje toka është trajtuar si shtet” thotë denoncuesja.

Pra, deri në këtë pikë kemi një pronar, që ka ndërtuar në tokë shtet. Por, si vijon? Për të njëjtën pronë, në vitin 1995, Kthimi dhe Kompensimi i Pronave jep një vendim me emrin Pal Gjergj Bardhi. Në këtë vendim i njeh një sipërfaqe toke dhe po prapë i kthen 5000 metra këtij personi. Por, në këtë vendim, nuk përcaktohet se ku është kjo tokë, pasi vendimi s’kishte hartë.

“Të ky vendim ka edhe 1 pikë që ngarkohet një grup pune se ku do t’i kthehet prona këtij qytetari. Gjë që nuk ka ndodhur në asnjë vit. Vendimi i Kthimit të Pronave i njeh këta pronarë që kanë pas ndërtuar në këto vende të lira me leje. Dhe janë të përcaktuar të gjitha bizneset. Në atë kohë kanë qenë 8 ndërtime dhe te kjo pjesë s’ka të drejtë pronari të marrë tokën. Një nga tetë ka qenë edhe Gjokë Hasi, daja i bashkëshortit tim” thotë denoncuesja.

Vendime që rrëzojnë njëra tjetrën, të dala nga zyrat shtetërore. “Gjokë Hasi bëri shumë përpjekje për ta regjistruar, nëpërmjet lejes së ndërtimit. Por iu refuzua. Në 2006 i kthejnë përgjigje se s’ka marrëdhënie me truallin.

Për koiçidencë në vitin 2002 z.Pal Bardhi e regjistron vendimin e Kthimit të Pronave edhe pse kishte mangësi edhe pse s’kishte hartë. E regjistron në Kadastër. Regjistron pjesën që është brenda rrethimit të farmacisë” thotë ajo.

Më pas, familja Hasi i drejtohet ALUIZNI-t dhe e regjistron si pasuri informale, pavarësisht se kishte leje. “U fut legalizimi dhe leja është dhënë në vitin 2011. 300 metra truall dhe objekti 140 metra. Doli vërtetimi hipotekor. Fill pas kësaj zyra e regjistrimit sjell një urdhër kufizim për pasurinë në emër të Dodë Hasit. Por, s’u kompensua pronari” thotë ajo.

Familja Hasi tenton sërish ta regjistrojë, po sërish has në vështirësi te Kadastra e Kurbinit me arsyetimin se “prona ka mbivendosje me pronën e Josif Bardhit”.

“Ne donim ta zgjidhnim. Kur del Legalizimi pala tjetër duhet të ishte kompensuar për sipërfaqen 300 metra. Deri tani nuk ka asnjë vendim për shfuqizimin e lejes së legalizimit. Atë ditë që ne na thonë se ka mbivendosje, Hipoteka certifikon një sipërfaqe ngjitur me farmacinë në emër të Sandër Bardhit. I ka dhënë edhe trotuarin, lulishten” thotë Siriusa Pepa. më tej ajo pohon se familja Bardhi ka pretenduar për të gjitha pronat sipas vendimit të Kthimit të Pronave.

“Ka pasur një konflikt edhe me një tjetër familje, dimë që 1 rast ka marrë zgjidhje në gjykatë. Paditësi ka qenë vetë Pal Bardhi me objektin pavlefshmërinë e lejeve, certifikatave. Është i njëjti rast. Gjykata e Shkallës së Parë në të gjitha arsyetimet ka konstatuar probleme në vendimin 38 të vendimit të AKKP. Po ashtu edhe gjykata e Apelit.

Në një pikë të vendimit thotë që është vendim i parregullt përderisa s’ka hartë. Ky vendim nuk mund të merret në konsideratë pa qenë pjesë plotësuese harta. Vendimet marrin formë të prerë, çështja shkon deri në Gjykatën Kushtetuese. Në Kushtetuese e çoi Pal Bardhi. I ka humbur në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Janë deri në vitin 2008” vijon denoncuesja.

Në vitin 2016 Pal Bardhi hap një gjyq në Gjykatën e Kurbinit për saktësim kufijsh të vendimit të Kthimit të Pronave të vitit 1995. “Unë nuk e kuptoj që një gjykatë se si mund të përcaktojë kufijtë pa vënë në dijeni pronarët ekzistues. Me këtë vendim, Josif Bardhi, i biri, shkon dhe e përdor për të bërë tjetërsimin e pronave të tij. Megjithëse ishte thënë një vendim i mëparshëm nga Apeli, Gjykata e Lartë s’kishte hartë… Gjykata e Kurbinit del mbi gjykatën Kushtetuese” thotë denoncuesja.

Sërish vendime pas vendimesh, për të njëjtën pronë. E cila filloi me leje ndërtimi, vijoi me Kthime Pronash, me Hipotekë, me ALUIZNI, me vendime gjykatash. Dhe, sërish me shitje apo vendime të dyshimta të Hipotekës. “Ne po prisnim të zhvillohej procesi gjyqësor, më datë 12 prill 2022 nga dreka, në marrim dijeni nga një palë e tretë që unë jam bërë pronar i kësaj prone.

Zyra e Kadastrës ka bërë tjetërsimin e pronës. Më pas është regjistruar në emër të z.Alfred Dajçi. Dajçi me njerëzit e tij vjen dhe vendos rrjetë. Momentalisht është një gardh hekuri. Ai vuri një rrjetë. Ne shkuam në polici dhe bëmë një kallëzim për këtë shtetas. Policia nuk ndërmori asnjë vendim. Ky person heq rrjetën dhe vendos këtë hekur.

\]Dhe po ta shikoni ky hekur ka bllokuar të dyja dyert. Unë nuk e zhvilloj dot pronën se më ka bllokuar. Kadastra e tjetërsoi duke na futur në konflikt. Unë dua të denoncoj çdo veprim nga ASHK se po na fut në konflikt absolut. E vetmja shpresë është Fiksi për t’u bërë krahë të gjejmë drejtën tonë. Nuk duam asnjë gjë që s’na takon” përfundon denoncuesja.

Pas denoncimit, Fiks Fare bisedoi me përgjegjësen e Kadastrës së Kurbinit, Iris Tahiraj. Ajo thotë se pasuria e z.Pal Bardhi është regjistruar në bazë të vendimit 38 të Kthimit të Pronave të vitit 1995. “Ky vendim i ktheu të ndjerit Pal Bardhi 5000 metra katrorë truall. Në vitin 2007 i është drejtuar Hipotekës për ndarje pasurie dhe kjo pasuri është ndarë në vitin 2007. Për t’jua dhuruar fëmijëve të tij. E gjithë pasuria që është kthyer nga vendimi është ndarë në disa pasuri të tjera me sipërfaqe të vogla. Dhe kur është bërë azhurnimi në vitin 2019 është pasqyruar në disa pasuri, në bazë edhe të kërkesës së z.Pal Bardhi në atë kohë” thotë përgjegjësja e Kadastrës.

Më pas tregon se në vitin 2021, familjarët e Gjokë Hasit iu drejtuan Kadastrës për nxjerrjen e certifikatës së pronësisë, në bazë të vendimit të Legalizimit. “Në momentin që po punohej si dosje, shikojmë se krijonte mbivendosje me pronat e të ndjerit Pal Bardhi. Pali në vitin 2001 ishte pajisur me vërtetim hipotekor dhe Dodë Hasi kishte marrë leje legalizimi për atë pjesë. Krijonte mbivendosje dhe nuk zgjidhet nga Hipoteka por vetëm me proces gjyqësor. Mund ti drejtohet gjykatës pasi ASHK nuk vepron” thotë ajo.

Pra, të dyja palët kanë dokumente hipotekore! Po nga kanë dalë? Natyrisht, nga institucionet shtetërore, të cilat vetëm sa kanë krijuar një kaos të madh. Përgjegjësja e Kadastrës e pranon se familja Bardhi nuk është dëmshpërblyer për truallin e regjistruar nga familja Hasi. Ndërkohë Fiksi e pyeti përgjegjësen nëse trashëgimtarët e Gafurr Adilit i kanë paraqitur dokumentet në Kadastër.

“Z.Spahiu ende s’është paraqitur. Do të shqyrtohet dhe do të verifikohet si rast” thotë ajo, ndërsa asnjë nga vendimet e fituara nga kjo familje nuk është regjistruar. Gazetarët e pyetën edhe për pasurinë që iu shit z.Alfred Dajçi. “Ka ardhur në vitin 2021 familja Bardhi dhe e kanë kthyer në certifikatë. Ka bërë kontratën e shitjes dhe ka aplikuar në ASHK. Kjo s’është pjesa e mbivendosur me farmacinë. Pjesa që krijon mbivendosje është tjetër pasuri. Pasuria është ndarë që në vitin 2007. Për atë pasuri zyra jonë nuk ka kryer veprime. Pasuria e z.Daçi është pasuri tjetër, numër kartele tjetër” përfundon përgjegjësja.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA