Kriza politike dhe kushtetuese mund t’i kushtojë akoma edhe më shtrenjtë Malit të Zi.

Situata është mjaft serioze, pohon Gordana Gjuroviç, ish-ministre e Integrimit Europian të vendit.

“Komisioni Evropian ose një e treta e anëtarëve të BE-së mund të rekomandojnë pezullimin e negociatave me Malin e Zi, ose të propozojnë kushte për vazhdimin e tyre”, pohon ajo.

Sinjali i parë mbërriti nga ministrja e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, e cila gjatë ndalesës në Podgorocë dy ditë më parë, pohoi se ministrat e Jashtëm të bllokut do të diskutojnë më 23 janar në Bruksel për masat e mundshme që mund t’i marrë Brukseli, nëse Mali i Zi nuk e zhbllokon Gjykatën Kushtetuese me zgjedhjen e gjyqtarëve që i mungojnë.

“Për mua, paralajmërimi i BE-së është shumë i qartë, i pritshëm dhe shumë serioz. Mali i Zi kurrë nuk ka qenë kaq i bllokuar, nuk ka qenë kurrë nën kërcënimin e një bllokade të tillë, siç po ndodh në fillim të vitit 2023, pas një dekade negociatash [për anëtarësim në BE]”, thotë Gjuroviç.

Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi është e bllokuar që nga shtatori i vitit të kaluar, kur ka mbetur me vetëm tre gjyqtarë nga shtatë sa duhet t’i ketë. Për shkak të mungesës së kuorumit, ajo nuk mund të marrë vendime për ankesat kushtetuese, të cilat lidhen edhe me proceset zgjedhore. Pa vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të formohet asnjë qeveri e re pas zgjedhjeve.

Top Channel