Koncesioni me fitim 564 përqind! Rrugët Lekaj-Fier dhe Thumanë-Kashar, miniera floriri dhuratë

07/01/2023 19:34

Koncesionet e rrugëve janë një nga format më të sigurta të biznesit në republikën e Shqipërisë, ku koncesionari mjafton të gjejë fondet fillestare për investim dhe më pas siguron një kthim prej 564% apo 5 herë më shumë se investimi tregojnë shifrat e analizuara nga Open Data Albania. Këto fitimet janë të parallogaritura dhe në rast mosrealizimi mbulohen nga buxheti i shtetit.  

Rruga Milot – Fier ose siç është emërtuar Korridori Blu është ndarë në katër segmente nga qeveria, ku të gjitha do të jepen me koncesion. Por, ndryshe nga PPP-të që jemi mësuar, ku kompania bën investimin dhe më pas qeveria ia shlyen me këste, kontratat janë përpiluar ndryshe nga Ministria e Infrastrukturës. Kështu, koncesionari do të investojë tek rruga dhe më pas të ardhurat dhe fitimet do t’i marrë nga tarifa që do vendosë për qytetarët për 35 vite.

Për rrugën Milot – Fier u hap garë ndërkombëtare për tre segmente, ndërsa është shpallur fituesi për aksin Lekaj – Fier, ku asnjë kompani e huaj nuk paraqiti ofertën e saj, ndërsa fitues u shpallën bashkimi i tetë kompanive të kryesuara nga kompania Fusha sh.p.k. Një vështrim në QKB tregon qartazi se këto kompani nuk kanë as asetet fizike dhe as fondet e mjaftueshme për rehabilitimin e këtij segmenti rrugor, por kjo nuk ngriti asnjë flamur të kuq në Ministrinë e Infrastrukturës.

E vetmja kontratë që është publike i përket rrugës Thumanë – Kashar, por në të mungojnë detajet se sa është vlera e investimit apo se nga vijnë fondet. Në kontratë shteti i jep garanci koncesionarit për 8 vitet e para të operimit. Tarifa e rrugës do të indeksohet çdo vit me inflacionin dhe ajo që vlen më tepër është fakti se shteti i njeh të drejtën koncesionarit të fitojë të ardhura shtesë nga rruga, duke i mbajtur vetëm një taksë.

Në fund të 35 viteve, kompania Gener 2 do të mbledhë 1.3 miliardë euro të ardhura, ndërsa tarifa e traut do të jetë 2.1 euro.

Në rastin e Lekaj – Fier sipas dokumenteve standarte të procedurës, shteti do mbulojë me garanci koncesionarin për 17 vite, ndërsa tarifa e traut mund të arrijë deri në 1.8 euro për 46 km, me të ardhurat bazë që llogariten në 1.3 miliardë euro.

Për rreth 100 kilometra rrugë llogaritet se qytetarët shqiptarë mund të paguajnë deri në 7.5 euro tarifa, ndërsa e njëjta shumë mund të paguhet për 216 kilometrat nga Korça në Selanik.

Këto tarifa përveç se do të rëndojnë mbi qytetarët, e bëjnë Shqipërinë edhe më pak konkurruese me rajonin sa i përket turizmit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA