Skandali i Katarit, PE i heq imunitetin dy eurodeputetëve

03/01/2023 12:17

Jehona e skandalit të korrupsionit mes BE-së e Katarit vazhdon të ndihet në Parlamentin Europian, i cili duket i vendosur t’i shkojë verifikimeve deri në fund e të ndëshkojë përgjegjësit.

Një procedurë ka nisur për heqjen e imunitetit të dy anëtarëve të tij pas një kërkese nga drejtësia belge që po heton aferën shokuese. Dy burime pranë hetimit i thanë agjencisë Reuters se eurodeputetët në fjalë janë belgu Marc Tarabella dhe italiani Andrea Cozzolino.

“Pas një kërkese nga autoritetet gjyqësore belge, kam nisur një procedurë urgjente për heqjen e imunitetit të dy anëtarëve të Parlamentit Evropian”, tha në Twitter presidentja e parlamentit Roberta Metsola. “Nuk do të ketë pandëshkueshmëri për asnjë,” shtoi ajo. Avokati i Tarabella, Maxim Toller, tha se klienti i tij ishte në favor të heqjes së imunitetit. Më parë, eurodeputeti Tarabella mohoi të kishte kryer ndonjë shkelje, duke thënë në një deklaratë se ai nuk kishte “absolutisht asgjë për të fshehur” dhe “do t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve të hetuesve”.

Cozzolino nuk iu përgjigj përpjekjeve të agjencisë Reuters për koment. Muajin e kaluar, ai u tha agjencive italiane të lajmeve se nuk ishte nën hetim në atë kohë.

“Nuk jam marrë në pyetje. Nuk jam kontrolluar, as zyra ime nuk është mbyllur”, që shprehur ai. Reuters thotë se Francesco Giorgi, një nga të dyshuarit kryesorë në hetim, së bashku me partneren e tij, zv/presidenten e shkarkuar tashmë të PE-së, Eva Kaili, pranoi se kishte marrë ryshfet nga Katari për të ndikuar në vendimet e Parlamentit Europian lidhur me këtë vend. Sipas burimeve, Giorgi, një këshilltar në parlamentin e BE-së, ka rrëfyer se dyshonte se eurodeputetët Tarabella dhe Cozzolino kishin marrë para nga ky vend i Gjirit Persik.

Top Channel