Trauma që kaloi pas humbjes së tretë në zgjedhjet parlamentare dhe goditja që SHBA i dha përmes shpalljes non grata të Sali Berishës, përcaktoi edhe fatin politik të demokratëve për vitin 2022.

Divorci i fortë njerëzor dhe politik mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës u reflektua në skena të pa ndodhura më parë brenda një force politike në Shqipëri. 8 janari e shndërroi selinë e PD në një arenë përplasjesh brenda demokratëve ku për ironi u lips që zjarri i ndezur në oborr të shuhej nga Policia e Shtetit që vazhdimisht demokratët e kishin etiketuar për varësi nga kryeministri Rama.

Ndarja u thellua më tej kur në 11 janar, Berisha dhe 4 deputetë u përjashtuan nga PD. Edi Rama preferoi të qëndronte në pozitat e spektatorit në shfaqjen më të ashpër që kundërshtarët e tij zhvillonin mes vetes. Për t’i dhënë fund dilemave se cila nga palët kishte shumicën brenda PD, mendoi presidenti në detyrë Ilir Meta që shpalli zgjedhje të pjesshme vendore në 6 bashki. Por qetësia e Ramës mori fund kur në fillim të shkurtit, ministri më jetëgjatë i Brendshëm, Saimir Tahiri u dënua me burg. Në fund të mandatit të tij Presidencial, betejën e tij të fundit me mazhorancën, Ilir Meta e zhvilloi në Gjykatën Kushtetuese ku ja doli të mbijetojë në muajt e fundit në karrigen e kreut të shtetit.

Presioni për drejtësinë ishte në rritje. Por mandati i anëtarëve të Komisioneve të Vettingut ishte drejtë fundit. PD nën drejtimin e Bashës zgjodhi të bashkojë votat me PS pas insistimit të ndërkombëtarëve dhe votoi për zgjatjen e afateve për anëtarët e këtyre organeve të drejtësisë. Pavarësisht ndarjeve të forta brenda saj, PD e ktheu betejën për inceneratorët në kalin e Betejës duke thirrur njëri pas tjetrit ministrat dhe kryeministrit. Teksa lufta e brendshme politike në Shqipëri vijonte të ishte e fortë, në Ukrainë nisën sinjalet se një luftë e vertetë kishte nisur. Pasojat e së cilës Rama paralajmëroi shqiptarët se do të ndihen shumë shpejtë edhe në Shqipëri.

Nuk vonoi shumë dhe efeket e menjëhrshme u ndjenë në ekonomi me rritjen e menjëhershme të çmimit të naftës dhe çmimeve të shportës. Qetësia pas trazirave të 8 janarit u prish sërish në PD kur në zgjedhjet e 6 marsit, PD me vulën e Lulzim Bashës u rendit humbëse dhe e treta 5 nga bashkitë ku u mbajtën zgjedhje. Për më shumë se dy javë Basha u vendos nën shënjestër nga grupi parlamentar deri në 21 mars kur dha dorëheqjen si kryetar I PD.

Vetëm 4 ditë më pas, Gjykata e Tiranës i njohu Berishës kuvendin e 11 dhjetorit duke i dhënë mundësinë për të rimarrë selinë e Pd. Nga ajo ditë, Alibeaj i komanduar si kryetari i PD pas largimit të Bashës nisi betejën ligjore duke kërkuar nga gjykata t’i jap zgjidhje pyetjes se kush e ka shumicën në PD. Hetimet për Inceneratorët i shkaktuar PS një tjetër goditje brenda grupit parlamentar. Kërkohet arrestimi i deputetit Alqi Bllako. Për socialistët ishte koha të guxohej dhe të shprehnin publikisht nismën për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore. BE ishte kundër kësaj nisme, por në kushtet kur çelja e negociatave vijonte të mbahej peng e Maqedonisë së Veriut , Rama paralajmëroi edhe një ndërrim kursi nga Shqipëria nëse negociatat nuk do të hapen. Një profil ushtarak, përtej çdo thashethemi politik ishte zgjedhja e socialistëve për kreun e ri të shtetit.

Bajram Begaj u votua si President në 4 qershor. Opozita nën drejtimin e Berishës që zyrtarisht kishte marrë drejtimin e PD protestoi në 7 korrik në një protestë kombëtare, zhurma e të cilës zgjati deri në 22 korrik, kur pas SHBA edhe Britania e Madhe sanksionoi liderin historik të PD si person non grata. Kur kundërshtari politik ishte në kuotat e tij më të ulëta, Rama mori në Bruksel lajmin e shumëpritur për Shqiptarët, çeljen e neogicatave me Bashkimin Europian.

Top Channel