Një 40 vjeçare britanike ka humbur jetën dje teksa përpiqej të mbronte shtëpinë e saj nga grabitësit në Australi.
Emma Lovell vdiq si pasojë e plagëve të marra gjatë bastisjes së shtëpisë së saj në Queensland, ndërsa bashkëshorti Lee, 43 vjeç pësoi plagë serioze nga sulmi.
Policia e Queensland tha se çifti ishin qëlluar të dy me thikë, kur të huajt hynë me forcë në shtëpinë e tyre dhe një përleshje nisi te hyrja kryesore.
Fillimisht alarmi ishte dhënë nga qentë e familjes dhe drejtuesi i policisë vendase John Hallam tha për mediat lokale, se i gjithë komuniteti ishte në zi.
Emma humbi jetën nga plagët e pësuara në sulm ndërsa bashkëshorti Lee po trajtohet për plagët, jashtë rrezikut për jetën.
Ai ka folur pas ngjarjes duke konfirmuar se gruaja “vdiq duke u përpjekur të më mbronte mua dhe familjen tonë”.
Dy 17-vjecarë janë ndaluar ndërkohë të akuzuar për vrasje, tentativë vrasjeje dhe hyrje të qëllimshme në banesë.
Emma e Lee ishin vendosur në Australi nga Ipswich në Britani me dy vajzat e tyre, 11 vjet më parë.
Homazhe të shumta bëheshin në rrjetet sociale për gruan tragjike.
Miku i familjes Martyn McIntee, tha se kishte në plan të vizitonte familjen në fillim të vitit të ri.
Ai tha: “Emma ishte një person i mrekullueshëm, e njihja që në shkollë. Nuk e imagjinoj dot dhimbjen e nënës së saj, vëllezërve, të bashkëshortit Lee dhe vajzave”.
Top Channel